TIRANË-Replika mes deputetit të Partisë Demokratike dhe Ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha janë zhvilluar si pasojë e një bisede në platformën WhatsApp. Konkretisht Këlliçi publikoi në bisedë ku akuzon ministrin, Ferit Hoxha, për fyerje. Deputeti pretendon se Hoxha iu është drejtuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, “po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”, në një komunikim në një grup.
Pas denoncimit nga deputeti i PD, ka reaguar Zëdhënësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Alteo Hysi, i cili në emër të Hoxhës deklaron se ky mesazh nuk është i vërtetë. Sipas reagimit, komunikimi i shpërndarë nga deputeti nuk ka asnjë lidhje me realitetin.
Zëdhënësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme Alteo Hysi: Zëdhenësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhjen për publikimet e shpërndara sot në mediat sociale, të cilat pretendojnë të paraqesin komunikime të brendshme, por që në fakt janë të pavërteta. Ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Komunikimi i servirur publikut është paqenë. Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend. Kjo nuk është hera e parë që në arenën publike hidhen pretendime se anëtarë të shërbimit të jashtëm gjoja shkelin betimin e tyre. Ministri Hoxha shpreh besim të plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e Shërbimit të Jashtëm, i cili vijon të përmbushë detyrat me përkushtim, duke u fokusuar në punën e tij dhe duke mos u ndikuar nga zhurmat dhe tymnajat e qëllimshme.



