TIRANË- Deputeti demokrat, Klevis Balliu, gjatë interpelancës me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, u ndal te roli dhe funsionimi i shoqërisë KAYO. Balliu pretendoi se kompania shtetërore e krijuar për krijimin e armëve po përdoret për afera korruptive.
Ministri Nufi hodhi poshtë të gjitha pretendimet e Balliut, duke theksuar se KAYO nuk është konceptuar si një kompani prodhuese në kuptimin klasik, por si një strukturë që bashkëpunon me partnerë privatë dhe kapital të specializuar në industrinë ushtarake.
Më tej, ai tregoi se Shqipëria nëpërmjet kompanisë ka siguruar marrëveshje me shtetin e Izraelit për prodhimin e dronëve luftarakë të teknologjisë së fundit që garanton sigurinë e forcave tokësore të ushtrisë shqiptarë.
Sipas Nufit, KAYO bashkëpunon me kompani të specializuara në fushën e prodhimit të municioneve, ndërsa përfitimet e Shqipërisë nga ky bashkëpunim përkthehet në fitime deri në 400 milionë euro dhe mbi 1 vende punë për qytetarët.
Pjesë nga debati:
Balliu: Këtë interpelancë e kam kërkuar sepse ka të bëjë me interesin kombëtar, i cili sot po cënohet vetëm për interesa korruptive dhe afera korruptive, tanimë jo nëpërmjet një kompanie apo një tjetër, por nëpërmjet krijimit të një kompanie shtetërore e cila bashkëpunon me kompani të tjera private për të ndërtuar afera korruptive. Kjo është kompania KAYO.
Kjo interpelancë bëhet për të kërkuar sqarime mbi një çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të Shqipërisë, paratë e çdo taksapaguesi shqiptar dhe reputacionin e vendit tonë brenda NATO-s. Çdo qytetar shqiptar ka të drejtë të kuptojë se çfarë po ndodh me paratë dhe sigurinë e tij.
Nufi: Është rast shumë i mirë të prezantoj detyrat e shoqërisë KAYO. KAYO është konceptuar jo si një kompani drejtpërdrejt prodhuese, por qëllimi i saj është të ketë një funksion holding, pra të bashkëpunojë me kompanitë e prodhimit të mjeteve ushtarake. Ky është një model ndërkombëtar dhe qëllimi është të angazhojë kapitale private dhe jo shtetërore. Fusha e ushtrisë është shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Është e vërtetë që edhe në vende të tjera ka kompani private që prodhojnë, janë private jo shtetërore. KAYO është themeluar në vitin 2024. Kjo është një praktikë që i shërben transparencës. Ka vende në BE që sot kanë prodhuesin dhe rregullatorin që bashkëpunojnë, pra nuk është Shqipëria rasti i vetëm. Qëllimi i KAYO-s është rijetëzimi i industrisë ushtarake shqiptare, si një angazhim që Shqipëria duhet ta marrë si anëtare e NATO-s.
…
Në kundërshtim nga çfarë pretendon deputeti i nderuar, që i gjykoj të nxituar dhe aspak serioze për sa kohë flasim për sigurinë kombëtare dhe kapacitet prodhues në Republikë, do të ishte shumë e drejtë të ishte një realitet tjetër, sot fqinjët tanë kanë 5 miliardë euro në vit fitim nga industria ushtarake përveç faktit që forcat e ushtrisë kanë rezerva të garantuara për sigurinë kombëtare. Kjo shihet me dritëhije se funksionon me partnerë privatë, patjetër që është ashtu sepse ata investojnë me kapital, deri tani buxheti i shtetit për shoqërinë janë 3 milion euro, të gjitha investimet e tjera për të katër kompanitë e krijuara vijnë patjetër nga kapitali privat.



