GREQI-Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet nga vizita zyrtare në Athinë, ku u takua me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis. Rama deklaron se po punon me Mitsotakis për të zgjidhur çështjet e mbartura mes dy vendeve, ndërsa shton se këtë vit do të dalin me një marrëveshje të re partneriteti.
“Me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, na lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për të modernizuar vendet tona dhe për t’i ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri. Përgjatë kësaj rruge jo vetëm momentet më të mira, po edhe ato më të vështirat janë karakterizuar gjithnjë nga komunikimi plot respekt e pa dorashka, ndërkohë që po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik”, shkruan Rama, krahas albumit me foto nga takimi.
Mediat greke kanë zbardhur edhe bisedat mes dy homologëve gjatë takimit, ku nuk munguan as batutat për veshjen nga ana e kryeministrit Rama.
“Përsëri, shumë faleminderit, Kryeministër. Është një nder të jem këtu dhe kërkoj ndjesë që nuk u vesha aq zyrtarisht sa ju, sepse nuk e prisja një pritje të tillë. Prandaj shpresoj që media greke të mos e perceptojë ndryshe, përveçse si mungesë informacioni të mirë nga protokolli im”, tha Rama gjatë takimit.
“Ne e pranojmë që ju jeni gjithmonë shumë inovativ në mënyrën se si visheni, dhe kjo na pëlqen”, ishte përgjigjja e Mitsotakis.
Rama ndodhet në Greqi me ftesë të Forumit Ekonomik të Delphit, (21-23 prill) një platformë ndërkombëtare e nivelit të lartë, e cila çdo vit bën bashkë liderë politikë, përfaqësues të biznesit, akademikë dhe ekspertë nga e gjithë bota./ZËRI



