TIRANË-Kryeministri Rama do të zhvillojë një vizitë pune në Greqi, ku do të jetë pjesë e Forumit Ekonomik të Delphit, i cili do të zhvillohet nga 21 deri më 23 prill.
Gjatë vizitës Rama do të zhvillojë edhe një takim me homologun e tij, Kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis, me fokus forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ecurinë e punës së përbashkët për dokumentin e ri të partneritetit strategjik mes dy vendeve, për të cilin janë angazhuar ekipet e ministreve të jashtme të dy vendeve.
Ky forum është një platformë ndërkombëtare e nivelit të lartë, e cila çdo vit bën bashkë liderë politikë, përfaqësues të biznesit, akademikë dhe ekspertë nga e gjithë bota për të diskutuar sfidat kryesore globale, për të nxitur dialogun ndërkombëtar, për të shkëmbyer ide dhe për të kontribuar në hartimin e politikave që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëpunimin rajonal e global./ZËRI



