“Skandalet e përsëritura të korrupsionit”, Berisha takim me studentët e Sciences Po: E ardhmja e Shqipërisë është integrimi në BE


"Skandalet e përsëritura të korrupsionit", Berisha

Sali Berisha me studentë të shkollës franceze Sciences Po

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ditën e sotme zhvilloi një takim me studentë të shkollës franceze Sciences Po. Në takim u diskutua për korrupsionin, ekonominë dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Në fjalën e tij, kreu i opozitës foli për abuzimet me tenderat dhe për luftën ndaj korrupsionit.

Ai foli edhe për integrimin në BE, ku kundërshtoi çdo ide për “integrim të diferencuar”, duke komentuar një qëndrim të përbashkët të Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiç. Ai tha se e vetmja rrugë e Shqipërisë për të ardhmen është anëtarësimi në familjen e madhe evropiane.

REAGIMI I PLOTË:
Pata kënaqësinë të mirëprisja, në një bisedë të gjatë dhe të zgjeruar, studentët e shkollës së njohur franceze të studimeve politike, Sciences Po. Me të rinjtë, kryesisht francezë, por edhe nga kombësi të tjera evropiane, diskutuam mbi aktualitetin në Shqipëri: skandalet e përsëritura të korrupsionit, procesin e integrimit evropian, si dhe sfidat e Ballkanit, përfshirë demografinë.

Pyetjes së tyre se si Partia Demokratike e Shqipërisë do ta luftojë korrupsionin, iu përgjigja se kjo kërkon një kombinim reformash strukturore: ulje të barrës së licencave, funksionimin e rregullt të sistemit “one-stop-shop”, reduktim taksash dhe përdorim të teknologjisë si blockchain për prokurim publik transparent dhe të gjurmueshëm.

Në diskutimin për ekonominë, theksova se praktika aktuale shpesh dekurajon pjesëmarrjen reale të kompanive evropiane në tenderat publikë në Shqipëri. Kjo bie ndesh me frymën e tregut të përbashkët evropian dhe me parimin e shtetit të së drejtës. Pa këto dy shtylla, nuk mund të flasim për integrim të vërtetë.

Në këtë kontekst, përmenda edhe letrën e përbashkët të Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiç në mediat gjermane, e cila sugjeron një qasje që mund të perceptohet si integrim i diferencuar. Ky nuk është standardi që ne synojmë. U përsërita atyre, siç bëj vazhdimisht, se e ardhmja e Shqipërisë dhe e Ballkanit është, pa dyshim, në Bashkimin Evropian.

Pyetjes mbi qëndrimet e “disa ambasadorëve të lobuar”, që pretendojnë se opozita amplifikon skandalet e korrupsionit, iu përgjigja se ka të tillë që bëjnë mbrojtje pasionante të Edi Ramës, por vlerësimi i realitetit duhet të bazohet në fakte dhe në interesin publik, mbi çdo konsideratë tjetër. U ndala gjithashtu te rasti i Kolegjit të Evropës, duke theksuar se çdo çështje me interes publik kërkon transparencë dhe hetim të plotë, në funksion të standardeve evropiane.

Në diskutimin mbi kujtesën postkomuniste, solla shembullin e Havzi Nelës, një poet që u ekzekutua në mënyrë tragjike me firmën e babait të Edi Ramës dhe që meriton më shumë njohje në nivel evropian. Studentët e Sciences Po janë pjesë e Institutit të Studimeve Politike, ciklit East European Studies, ku bëjnë pjesë profesorë e ekspertë ndër më të mirët në Evropë për integrimin.

Drejtuesi i ciklit është njëkohësisht drejtor i Qendrës Jacques Delors për Zgjerimin e BE-së.

/ ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top