TIRANË- Këshilli i Ministrave ka vendosur të shpallë “pasuri kulturore të paluajtshme” disa prej zonave me rëndësi historike dhe arkeologjike në vend.
Sipas vendimit, Parku Arkeologjik i Bylisit dhe ai i Klosit janë shpallur pasuri kulturore të paluajtshme. Po ashtu, edhe një zonë në qytetin e Delvinës është shpallur pasuri kulturore e paluajtshme me statusin “ansambël arkitektonik urban”.
Gjithashtu, në listën e pasurive të mbrojtura përfshihen edheParku Arkeologjik i Orikumit,si dhe Zona Arkeologjike “A” e Bushatit, në Bashkinë Vau i Dejës.
Në mbledhje është miratuar gjithashtu plani për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, me synim forcimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tyre.
Ndërkohë vendimet e ndërmarra nga Këshilli i Ministrave do të hyjnë në fuqi menjëherë pas botimit në “Fletoren zyrtare”./ZËRI







