TIRANË- Tre interpelanca janë shtyer në total gjatë seancës së sotme, ndërsa të tjera janë zhvilluar mes deputetëve të opozitës dhe ministrave.
Deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri, gjatë një interpelance me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, kërkoi më shumë transparencë mbi projektet e Korridorit VIII dhe Porto Romano. Kapri ngriti shqetësime për mungesën e sqarimeve lidhur me largimin e kompanive të huaja dhe për pretendimet mbi ndërhyrje të faktorëve të jashtëm në këto projekte strategjike. Kapri theksoi rëndësinë ekonomike dhe të sigurisë që ka Korridori VIII, duke kërkuar përgjigje konkrete për kostot, procesin dhe ecurinë e zbatimit të tij.
Ministri i Energjisë dhe Intrastrukturës Enea Karakaçi, i ktheu përgjigje deputetit Erald Kapri, se pse është amenduar projekti fillestar për portin e ri në Porto romano. Po ashtu, ministri zbuloi më shumë detaje për projektin në Porto Romano.
“Pse është amenduar më vonë, për të patur nevojën e projektimit të hapësirës së dedikuar për forcën detare ushtarake të NATO-s. Ju me të drejtë shqetësoheni për NATO-n, por ka qenë qëllimi, vizioni dhe objektivi i qeverisë shqiptare që të kishte një bazë detare të NATO-s dhe prandaj ka bërë një amendim të projektit…Porti aktual është e pamundur të zgjerohet përtej kufijve ekzistues. Porti i ri është projekt i mirëmenduar, i hartuar me ekspertizë ndërkombëtare. Kapaciteti i portit është për të menaxhuar maksimumi 200 mijë kontejner, jemi në kufirin maksimal. Porti i ri ka kapacitet 600 mijë deri në 1 milionë kontejnerë.”, tha ministri Karakaçi./ZËRI



