TIRANË- Nis sot Samiti IV i Diasporës Shqiptare, i cili do të zhvillohet deri më 15 prill, duke mbledhur në Tiranë përfaqësues të diasporës nga vende të ndryshme të botës.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha bëri publike dje agjendën e detajuar të Samitit IV të Diasporës Shqiptare, i cili do të zhvillohet në datat 13-15 prill në Tiranë.
Me moton “Përmes rrënjëve lartësohemi”, samiti synon të forcojë lidhjet mes Shqipërisë dhe diasporës, duke e kthyer potencialin e saj në rezultate konkrete për zhvillimin e vendit, në kuadër të “Shqipëria 2030”.
Punimet e samitit do të zhvillohen kryesisht në ambientet e Pallati i Kongreseve, ku janë parashikuar një sërë panelesh tematike me fokus në çështje si investimet, arsimi, kultura dhe roli i diasporës në zhvillimin e qëndrueshëm.
Në kuadër të Samitit, diskutimet do të përqëndrohen në çështje kyçe, duke nisur nga roli i diasporës në forcimin e demokracisë dhe përfaqësimit, ndikimi i saj në zhvillimin ekonomik dhe inovacion, si edhe kontributi në sektorë të rëndësishëm si shëndetësia, arsimi dhe kërkimi shkencor.
Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet angazhimit të diasporës në proceset zgjedhore dhe institucionale, si dhe rritjes së investimeve dhe shkëmbimit të eksperiencave mes saj dhe Shqipërisë.
Po ashtu, në fokus do të jetë edhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe faktorëve shqiptarë në rajon, me synim ndërtimin e një qasjeje të koordinuar ndaj diasporës.
Samiti pritet të mbledhë personalitete të larta politike, përfaqësues institucionesh, ekspertë dhe anëtarë të diasporës nga vende të ndryshme të botës, duke synuar krijimin e urave të qëndrueshme të bashkëpunimit dhe rritjen e rolit të diasporës si një partner aktiv në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe institucional të vendit./ZËRI



