VLORË- Vajza e presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka Trump, ka mbërritur pasditen e djeshme në qytetin e Vlorës. Bëhet me dije se ajo do të zhvillojë një drekë me kryeministrin Edi Rama në vilat qeveritare në Dhërmi.
Ndërsa vetë Rama ka mbërritur në Vlorë pasditen e djeshme. Ai pritet të qëndrojë në qytetin bregdetar deri ditën e hënë në kuadër të axhendës së tij, ku do të zhvillojë takime me strukturat dhe inspektime.
Ende nuk dihen detaje nga takimi që do të zhvillojë Rama me Trump. Ndërkohë, kujtojmë se kjo është hera e disatë që vajza e presidentit amerikan mbërrin në Vlorë.
Më 22 janar, ajo mbërriti në Vlorë në kuadër të planeve të saj për të investuar në zonën e bregdetit. Ivanka Trump vizitoi Manastirin e Zvërnecit dhe zonën e Porto Novës. Ndërkohë, ajo erdhi edhe në Tiranë, ku u prit në zyrën e Kryeministrisë nga Rama.
Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, do të investojë 1 miliard dollarë për ishullin e Sazanit në vila dhe resorte luksoze. Qeveria e Shqipërisë, në janar të vitit 2025, miratoi kërkesën e Jared Kushner për zhvillimin e ishullit të pabanuar të Sazanit, duke i dhënë statusin e investitorit strategjik. /ZËRI








