TIRANË-Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha po zhvillon një konferencë për shtyp me në fokus avancimin e Shqipërisë në negocitata për anëtarësimin në BE. Hoxha foli për raportin e Shqipërisë me Greqinë, duke nënvizuar se të dyja vendet gëzojnë marrëdhëniet më të mira. Sa i përket marrëdhënies për detin, Hoxha deklaroi se Shqipëria dhe Greqia do shkojnë në gjykata ndërkombëtare, por nuk dha një datë se kur do të zhvillohet seanca.
Ferit Hoxha: Gjykata ka vendosur dhe kjo nuk diskutohet. Pas asaj, është bërë një punë e jashtëzakonshme nga paraardhësit e mi. Sot ndodhemi në marrëdhëniet më të mira me Greqinë. Nëse hapim kapitujt, kemi dakordësinë e 27 vendeve, edhe të Greqisë. Kjo reflekton cilësinë e marrëdhënieve me Greqinë. Kam gjetur gatishmërinë për t’i çuar gjërat përpara. Demokracia nuk ka kufij, nuk ka limite. Për këto çështje, ne do të vazhdojmë. Çështjet më të vështira, si marrëveshja e detit, së pari me Greqinë, ne kemi rënë dakord. Do shkojmë në gjykata ndërkombëtare. Për këtë kemi rënë dakord në parim, nuk mund të them një datë. Janë një sërë çështjesh që marrin kohën e tyre.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë anuloi marrëveshjen e vitit 2009 me Greqinë, duke e konsideruar atë të papajtueshme me të drejtën ndërkombëtare dhe atë shqiptare, pasi cenonte interesat kombëtare. Marrëveshja ndërlidhej me synimin e Greqisë për të shtrirë gjerësinë e detit të saj territorial në 12 milje, gjë që prekte ngushticat detare dhe hapësirën e përbashkët. Ajo u kritikua për humbje të sipërfaqes detare shqiptare.
Shqipëria dhe Greqia kanë zhvilluar bisedime të shumta për një marrëveshje të re, por nuk kanë arritur dakordësi përfundimtare mbi vijën ndarëse. Për shkak të mosmarrëveshjeve, të dyja palët kanë deklaruar se çështja do t’i kalohet një gjykate ndërkombëtare (Gjykata e Hagës), duke i hapur rrugë zgjidhjes përmes drejtësisë ndërkombëtare.



