Skanim fytyre, gjurmët e gishtave…Ministria e Jashtme: Nga nesër hyjnë në fuqi rregullat e reja të udhëtimit në BE


Skanim fytyre, gjurmët e gishtave...Ministria e Jashtme: Nga nesër

FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dalë me një njoftim drejtuar qytetarëve shqiptarë, lidhur me hyrjen në fuqi të Sistemit Evropian i Hyrjes/Daljes (Entry/Exit System – EES), i cili zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave me regjistrimin elektronik të hyrjeve dhe daljeve të shtetasve nga vendet jo-anëtare të Bashkimit Evropian. Sistemi i ri me rregullat e reja hyn në fuqi nesër më 10 prilli 2026.

Me sistemin e ri, udhëtarët do të duhet të skanojnë pasaportat ose dokumentet e tjera të udhëtimit në një qendër vetëshërbimi sa herë që kalojnë një kufi të jashtëm të BE-së. Sistemi do të regjistrojë emrin e udhëtarit, të dhënat biometrike, si dhe datën dhe vendin e hyrjes dhe daljes. Skanimet e fytyrës dhe të dhënat e gjurmëve të gishtërinjve të marra gjatë regjistrimit të parë ruhen në bazën e të dhënave EES për tre vjet. Kështu, kur hyjnë dhe dalin në kufi, udhëtarët do të duhet të japin vetëm një gjurmë gishti ose një foto, të cilat do të krahasohen me të dhënat e ruajtura. 

NJOFTIM PËR QYTETARËT SHQIPTARË QË UDHËTOJNË DREJT VENDEVE TË HAPËSIRËS SHENGEN:

Mbi hyrjen në funksion të plotë të Sistemit Evropian të Hyrje/Daljes (EES)

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon qytetarët shqiptarë se, duke filluar nga data 10 prill 2026, në 29 vendet e hapësirës Shengen hyn në funksion të plotë Sistemi Evropian i Hyrjes/Daljes (Entry/Exit System – EES), i cili zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave me regjistrimin elektronik të hyrjeve dhe daljeve të shtetasve nga vendet jo-anëtare të Bashkimit Evropian.

Ky sistem, i cili ka nisur të zbatohet pjesërisht që prej tetorit 2025, do të aplikohet për të gjithë shtetasit që udhëtojnë për qëndrime afatshkurtra, deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, në zonën Shengen.
Qytetarët duhet të kenë parasysh sa vijon:
• Në hyrjen e parë pas datës 10 prill 2026, në pikën kufitare do të regjistrohen:
o të dhënat e pasaportës;
o fotografia e fytyrës;
o gjurmët e gishtërinjve.

• Refuzimi për të dhënë të dhënat biometrike sjell refuzimin e hyrjes në territorin Shengen.
• Në fazën fillestare të zbatimit mund të ketë vonesa në aeroporte, porte dhe pika kufitare tokësore; për këtë arsye, qytetarët këshillohen të paraqiten më herët për udhëtim.
• Pasaporta duhet të jetë e vlefshme dhe në gjendje të mirë fizike.
• Nuk kërkohet aplikim paraprak për EES; regjistrimi kryhet në momentin e kalimit kufitar.
• Sistemi nuk ndryshon rregullin ekzistues të qëndrimit: maksimumi 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme rekomandon që qytetarët të informohen paraprakisht mbi procedurat e reja dhe të planifikojnë udhëtimet e tyre duke marrë në konsideratë kohën shtesë të nevojshme për kontrollet kufitare.

Sistemi EES zbatohet për qytetarët jo-BE/Shengen që shkojnë në vendet e Shengenit ose të BE-së për qëndrime të shkurtra deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore. Kjo përfshin qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar, si dhe udhëtarët e përjashtuar nga viza, pavarësisht nëse udhëtojnë për turizëm apo biznes. Kjo vlen edhe për njerëzit që zotërojnë prona në BE, por nuk kanë leje qëndrimi./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top