TIRANË-Nesër kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ka thirrur në një mbledhje Kolegjet e Bashkuara, për të rishikuar edhe njëherë vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të ‘arrestit në burg’ dhe kohëzgjatjen e saj. Lidhur me këtë, në mbledhjen e Grupit Parlamentarë të Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se nesër Kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi do të dalë më një vendim që kërcënon sigurinë e Shqipërisë.
Sipas Berishës, kreu i Gjykatës së Lartë do të paraqesë aktin për të liruar të paraburgosurit që qëndrojnë në qeli pa vendim të formës së prerë. Kjo sipas Berishës po bëhet për të liruar Erion Veliajn dhe bosë të botës së krimit.
“Nesër Sadushi në një akt që kërcënon absolutisht sigurinë e Shqipërisë dhe vendet e rajonit, del me vendimin që ata që janë në paraburgim pa vendim të prerë të dalin. Ky është vendimi Veliaj, por nga ky vendim përfitojnë dhjetëra bosë të drogës. Është gjet rruga e paqes mes klaneve mafioze”,– tha Berisha.
Gjykata e Lartë do të shqyrtojë kriteret që duhet të mbahen parasysh kur shpallet masa e arrestit në burg. Konkretisht vendimi i vitit 2011 thotë se “kur kërkohet ose vendoset masa e sigurimit “arrest në burg”, gjykata nuk ka detyrim që të analizojë përse llojet e tjera të masave të sigurimit nuk janë të përshtatshme, mjafton që të argumentojë se masa e caktuar prej saj në rastin konkret ndaj të gjykuarit është masa e përshtatshme”.
Ndërkohë, Grupi Parlamentar i PD-së ka dërguar një letër zyrtare ambasadave të akredituara në Tiranë, duke kërkuar monitorimin e procesit në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë. Shkak për këtë veprim është bërë vendimi i kreut të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili ka thirrur Kolegjet e Bashkuara më 9 prill për të rishikuar vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e saj./ZËRI



