TIRANË- Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka për protestën e opozitës që do të mbahet më 17 prill. Berisha e ka cilësuar protestën e 17 prillit si një “leksion” për qeverinë, duke shtuar se aksioni opozitar nuk do të ndalet deri në arritjen e qëllimit për rrëzimin e qeverisë së Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.
Në fund të fjalës së tij, ai u bëri thirrje qytetarëve të angazhohen për rikthimin e vendit në rrugën e integrimit dhe zhvillimit.
“Ndaj dhe 17 prilli është një ditë e shqiptarëve, është dita e kryengritjes më të madhe paqësore në historinë e vendit. Le të mblidhemi në atë kryengritje me besim të plotë se fitorja është e qytetarëve. Me bindjen se shqiptarët nuk do të pajtohen kurrë me një regjim që i vjedh dhe plaçkit ditën dhe natën.
Nuk do të pajtohen kurrë me një regjim që e ka bërë Shqipërinë dhe Tiranën qytet të pajetueshëm për të rinjtë shqiptarë. Që i detyron ata të largohen, sepse nuk u ofron strehë, punë dhe të ardhme.
Ndaj dhe data 17 do të jetë leksioni i madh që do t’i jepet këtij regjimi. Do të vazhdojmë betejën tonë deri në fitoren e sigurt dhe për çeljen e rrugës së integrimit në BE.
Jo, miq, nuk të hap askush derën kur kërkon të hysh si hajdut. Derën nuk ia kanë mbyllur shqiptarëve, por Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij. Shqiptarët e ndershëm nuk do të përjashtohen kurrë.
Ndaj le të bëjmë detyrën tonë, t’u japim përgjigjen e merituar dhe të kthejmë Shqipërinë në rrugën e integrimit dhe të ardhmes. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria. Fitore!”, tha ai.
Ndërkohë protesta e kaluar e 22 marsit zgjati rreth tre orë. Tubimi pa fjalime, shumë shpejt përshkallëzoi, pasi u hodhën mjete piroteknike në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Forcat e policisë ndërhynë për të vënë situatën nën kontroll, me makinat e ujit dhe gaz lostsjellës. Pas Kryeministrisë, u sulmua me molotovë ministria e Brendshme, e Infrastrukturës dhe selia e PS, ndërsa u dogj edhe një makinë policie. Të lënduar nga kjo protestë mbetën 6 efektivë të policisë, ndërsa u arrestuan 15 qytetarë, të cilët u lanë në masën ‘detyrim paraqitje’./ZËRI



