TIRANË- Kryeministri, Edi Rama, ka reaguar ndaj lajmeve të publikuara në media për një përplasje të supozuar me deputeten Elisa Spiropali gjatë mbledhjes së fundit të grupit parlamentar.
Gjatë një takimi me socialistët, Rama kritikoi mënyrën se si mediat kanë trajtuar këtë çështje, duke theksuar se është nxjerrë jashtë kontekstit një pjesë shumë e vogël e diskutimeve. Ai u shpreh se mbledhja ka zgjatur rreth 7 orë, por sipas tij, mediat janë fokusuar vetëm te debatet e vogla dhe jo te përmbajtja e plotë e diskutimeve.
“Qëndruam në atë mbledhje nga ora 11 deri në 6 pasdite, pra rreth 7 orë. Nga të gjitha diskutimet që u bënë, mediat, nuk po flas për portalet, por për mediat kombëtare, e bënë lajm kryesor se çfarë i thashë unë njërit apo tjetrit. Ku janë njerëzit dhe ku është lajmi?”, -u shpreh Rama.
Tensioni i fundit ishte në mbledhjen e grupit parlamentar të PS mes Elisa Spiropalit dhe Erjona Ismailit, ku një ndërhyrje pati edhe nga vetë kryeministri Edi Rama. Përplasjen e fundit e pohoi edhe kreyparlamentari Niko Peleshi, i cili deklaroi se në mbledhje ka pasur diskutime që kanë zgjatur me orë të tëra, duke i konsideruar si të shëndetshme për frymën e brendshme të partisë./ZËRI



