TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike foli rreth kandidaturës së Erion Braçes në Tiranë për zgjedhjet vendore të vitit 2027. Ai tha se Braçe është përfaqësues i një partie të zhdukur “pa nam e nishan” dhe se në duart e Ramës, Partia Socialiste është kthyer në një parti të mirëfilltë krimi.
Ndërsa shtoi se kandidatura e opozitës për Tiranën do të jetë një kandidaturë e shkëlqyer. Berisha tha se do të bëjë gjithçka për të krijuar një front më të gjerë opozitar për t’i rikthyer Tiranën qytetarëve.
“Lidhur me deklaratën e deputetit Erion Braçe, ai mbahet si socialisti, si përfaqësues i një partie të zhdukur pa nam e nishan. Në fakt, kjo parti ka marrë trajtën e saj të re; ajo u themelua në krim dhe në duart e Edi Ramës është një parti e mirëfilltë krimi. PD do t’u ofrojë qytetarëve të Tiranës kandidaturën më të shkëlqyer. Do të bëj gjithçka për një front më të gjerë me opozitën dhe për t’ua rikthyer kryeqytetin qytetarëve, duke e nxjerrë nga kthetrat e mafies më të tmerrshme që ka njohur Tirana deri më sot,” – tha ai./ZËRI



