TIRANË- Kreu i opozitës Sali Berisha tha se 9 vende në Bruksel bllokuan miratimin e raportit IBAR për Shqipërinë, duke vendosur procesin e integrimit në BE në vendnumëro. Ai akuzoi qeverinë se fshehu këtë fakt nga publiku, pasi sipas tij qeveria u përpoq të mashtrojë qytetarët.
Berisha tha se pa votimin unanim të këtij raporti, asnjë kapitull i integrimit nuk mund të mbyllet, dhe nëse vazhdohet ky qëndrim, procesi mund të kthehet mbrapa me pasoja serioze për vendin.
“Së dyti, dita 1 prill është dita e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, e arritjes më të madhe historike në fushën e sigurisë pas shpalljes së pavarsisë së vendit. Por këtë ditë ne morëm edhe një lajm të hidhur, që e fshehur qeveria. Këtë ditë në Bruksel, në debatin që do zhvillohej për IBAR-in me Shqipërinë, nuk ishin më tre apo katër vende që kundërshtonin miratimin e vlerësimit të standardeve dhe shtetit ligjor në Shqipëri, por ato u bënë 9 vende që e kundërshtuan me shumë argumente dhe shumë çështje votimin e këtij raporti. Edi Rama dhe propaganda e tij e fshehu këtu, përkundrazi nxjerr zëdhënësit e tij të mashtrojnë shqiptarët. Por unë përsëri u them se pa votimin unanim të këtij raporti, Shqipëria nuk mbyll asnjë kapitull, çka do të thotë procesi i integrimit për momentin është vendnumëro. Shqipëria jo vetëm që do të rrijë në vendnumëro, por do të kthehet mbrapa me ndëshkime të rënda.”- tha Berisha në komunikimin virtual me qytetarët të mbajtur sot./ZËRI



