TIRANË- Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, uroi sot NATO-n në 77-vjetorin e krijimit të saj, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke riafirmuar dhe njëherë angazhimin e Shqipërisë si një partner i palëkundur i Aleancës. Presidenti Begaj theksoi rëndësinë historike të NATO-s, duke e përshkruar atë si një nga arritjet më të mëdha të bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Prej 77 vitesh NATO është një nga arritjet më të rëndësishme të bashkëpunimit ndërkombëtar, një Aleancë e ndërtuar mbi besimin dhe solidaritetin për garantimin e lirisë, sigurisë dhe mbrojtjen e përbashkët. NATO vazhdon të jetë simbol i unitetit dhe përgjegjësisë kolektive, duke mbrojtur vlerat demokratike dhe forcuar sigurinë Euroatlantike.
Prej 17 vitesh Shqipëria qëndron krenarisht si një anëtare e denjë në këtë familje, duke kontribuar për paqen, sigurinë dhe mbrojtjen kolektive. Rritja e buxhetit të mbrojtjes, si dhe kontributi aktiv në misione e operacione të NATO-s janë dëshmi e përkushtimit tonë të palëkundur ndaj vlerave të përbashkëta.”- shkruan ai në rrjetet sociale.
Shqipëria është pjesë e NATO që nga viti 2009. Si anëtare, Shqipëria merr mbrojtje nga vendet e tjera të NATO-s dhe merr pjesë në stërvitje dhe misione paqeje. Kjo i ndihmon vendit të jetë më i sigurt dhe të punojë së bashku me vendet e tjera për paqen dhe stabilitetin./ZËRI



