TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar pas kërkesës së deputetit socialist Erion Braçe, i cili kërkoi të dhënat zyrtare mbi rezultatet e arritura prej tij gjatë karrierës si ligjvënës. KQZ ka vënë në dispozicion shifrat e performancës personale të Braçes për periudhën 2001-2021.
Ndërsa, sa i përket rezultateve zgjedhore të viteve 1996 dhe 1997, KQZ njofton se i është drejtuar Arkivit Qendror Shtetëror, por ky i fundit ka konfirmuar se dokumentacioni përkatës nuk gjendet në fondet e tij, pasi rezultatet e atyre 2 viteve administrohen nga arkivi i Kuvendit të Shqipërisë.
Dokumenti i firmosur nga kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, e pozicionon Braçen si një ndër figurat politike më të votuara në shkallë vendi.
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe i dërgoi një shkresë KQZ, ku kërkoi t’i vihen në dispozicion të gjitha rezultatet e marra prej tij si deputet, duke nisur nga zgjedhja si deputet për herë të parë në qarkun Berat në vitin 1996. Braçe në kërkesën e dorëzuar më 24 mars kërkon që informacionit t’i vihen në dispozicion në numër votash dhe përqindje për secilin vit.
Lëvizja e Braçes ka ardhur disa ditë pasi deputeti shprehu dëshirën për mundësinë e kandidimit për postin e kryebashkiakut të Tiranës në 2027. Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Ogerta Manastirliu do të jetë kandidatja e PS, kurdo që do të mbahen zgjedhjet në Tiranë./ZËRI




