TIRANË- Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste deklaroi se familjet me ndihmë ekonomike do të pajisen me kartë. Rama njoftoi se ata do ta përdorin kartën për të blerë ushqime, të cilat do të peërcaktohen në një listë. Sipas tij, lista do të krijohet për të shmangur abuzimet “dhe jo për të blerë raki”. Më tej, kryeministri njoftoi se kompania që do të gjurmojë produktet quhet “AlbTrace” dhe është krijuar në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara.
“Kemi krijuar një kompani publike në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara që quhet “AlbTrace”, që është për ndjekjen dhe gjurmimin e produkteve, por jo vetëm. Dhe një program tjetër që besoj do ta fusim shpejt është një program që do të na sigurojë që, duke filluar nga familjet në ndihmë ekonomike, t’i pajisim me një kartë, të cilën ata ta përdorin për të marrë ushqimet në çdo vend që ka kasë. Dhe kështu ne të garantojmë që gjithçka që paguan shteti për ndihmë ekonomike shkon për ushqimet bazë sipas listës që do të bëhet dhe nuk shkon as për raki, që merr ndonjë burrë i dehur, as për bixhoz. Ky është vetëm hapi i parë dhe kjo është vetëm kategoria e parë, sepse pastaj do të kemi mundësi, me këtë sistem, që në rast se do të duhet bërë një paketë mbrojtëse, t’ia japim tek karta. Me këtë sistem do të bëjmë edhe gjithë mbështetjet për ushtarakët, për punonjësit e policisë, për të tjerë që shërbejnë jashtë qytetit, etj. Dhe kjo, te informaliteti, do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm. Pra, nuk është një kartë e kufizuar. Sipas kategorive, karta aty ka, për shembull, të gjithë pagën. Ky është një projekt që po punojmë dhe që lidhet me informalitetin, sepse me teknologjinë dhe digjitalizimin mund të bëjmë shumë gjëra të tjera kundër informalitetit”, tha Rama./ZËRI



