TIRANË- Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari në konferencën e mbajtur sot për media, foli progresin e Shqipërinë në negociata për anëtarësimin në BE. I pyetur idhur me paralajmërimin e ambasadës amerikane për sulme të mundshme nga Irani, Lamallari ritheksoi se është një njoftim rutinë i ambasadës, megjithatë theksoi se Policia ka marrë masa të shtuara. Sipas ministrit, masat janë marrë më herët, për shkak të situatës në Lindjen e Masme.
“Lidhur me situatën e sigurisë në vend, Shqipëria ka prej disa kohësh që ka marrë masa nga të gjithë agjencitë ligjzbatues e në bashkëpunim edhe me partnerë ndërkombëtarë. Jo vetëm kemi bërë vlerësimin e riskut, por edhe një plan masash për infrastrukturën kritike në përgjithësi. Policia e shtetit është me masa të shtuara në këto vendndodhje që konsideron me rëndësi, masat janë marrë shumë kohë më parë duke pasur parasysh situatën në Lindjen e Mesme. Sa për informacionin e përcjellë nga ambasada, është konfirmuar se është një lajmërim standard që është bërë edhe në vende të tjera të botës dhe nga ana tjetër ata vlerësojnë edhe bashkëpunimin dhe angazhimin e qeverisë shqiptare për masat e shtuara që i kanë marrë prej kohësh, dhe jo vetëm ditën e djeshme për t’ju përgjigjur kërcënimeve të ndryshme që zhvillohen edhe në forma hibride”, tha ai.
Alarmi i ambasadës
Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar.
Paralajmërimi i Ambasadës amerikane në Tiranë vjen në një moment kur përplasjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po shtrihen përtej retorikës politike, duke përfshirë edhe operacione konkrete në fushën kibernetike dhe të sigurisë./ZËRI



