TIRANË- Dy deputetet Bora Muzhaqi dhe Albana Vokshi janë përfshirë në një debat të ashpër në Kuvend. Përplasja nisi sapo Muzhaqi mori fjalën pasi kryetari i Kuvendit Niko Peleshi i hoqi të drejtën Elda Hotit. Vokshi i tha Muzhaqit se nëse do të kishte integritet nuk do të pranonte të merrte fjalën pas Hotit, ndërsa më tej, ajo shtoi se Muzhaqi nuk e kupton realitetin nga memet.
“Keni kryetarin e grupit të PS që fyen në mënyrë të vazhdueshme, intimidon dhe kërcënon burrat dhe tani e ka bërë zakon të gjitha gratë. Zoti kryetar, ju jeni përgjegjës për këtë situatë në këtë sallë. I hoqët fjalën Eldës dhe ia dhatë Muzhaqit që nëse do të kishte një fije integriteti nuk duhet ta kishte pranuar. Ajo realitetin nga memet shpesh herë nuk e kupton dot. Nuk pres që asnjëra prej tyre grave të çohet dhe të mbrojë të drejtat e grave në seancë. I bëj një pyetje këtyre burrave ore e keni motra, a keni gra? A ju vjen turp që bëheni të gjithë pas atij të paburri? Nxirreni jashtë në këtë moment”, tha Vokshi.
Menjëherë, pas kësaj deputetja socialiste iu drejtua Vokshit, duke i thënë se duhet ta lajë gojën me sapun kur përmend integritetin e saj. Debati vijoi më tej me tone të larta, pasi Muzhaqi pyeti Vokshin se si do të ndjehej nëse vajzës së saj do t’i thonin të njëjtën gjë që demokratja i tha asaj.
“Disa njerëz duhet të lajnë gojën me sapun, para se të përmend integritetin tim. Edhe me shampo lajeni, lajeni mirë e mirë se u është bërë sajesa. Kur flasin ca njerëz për integritet tim o zot o perëndi nuk di çfarë të thuash. Gratë kanë nisur viktimizohen dhe u duket sikur marrin ndonjë lloj simpatie. Sa kohë jemi bërë bashkë me deputetet e pd, turp që na përmenden gjëra që s’kanë fakte. Këta burrat duhet të mendohen se vërteta tha Vokshi keni gra nëpër shtëpia, a keni kalamaj, vajza. Si do ndihedhit ju, si do ndiheshe ti Vokshi sikur vajzës tënde ti thonin këtë që më the ti mua. Si do të vinte?”, iu kundërpërgjigj Muzhaqi.
Ndërsa, Vokshi i kërkoi socialistes që të mos flasë dhe të mos përmendë fëmijët e saj në Kuvend.
Albana Vokshi: Mos i përmend fëmijët e mi, mbylle gojën, fëmijët e mi mos i përmend kurrë,
Bora Muzhaqi: Ti mos mi përmend mua, kam edhe unë mama në shtëpi, kam edhe unë baba në shtëpi.
Albana Vokshi: Mbylle gojën po të them edhe njëherë, hesht, fëmijët e mi në këtë grup të qelbur mos i përmendë, turp të të vijë, turp të të vijë.
Bora Muzhaqi: Ti mos mi përmend mua.
/ZËRI



