TIRANË-Kuvendi ka filluar me tensione e debate, ku shkak është bërë deklarata e Ambasadës Amerikane në Tiranë, e cila paralajmëroi se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara. Ambasada u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Shqipëri të tregojnë kujdes të shtuar, pasi Irani mund të sulmojë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante.
Lidhur me paralajmërimin Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kërkoi sot në Kuvend aktivizimin urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke theksuar se çështjet e sigurisë kombëtare nuk janë ekskluzivitet i Ministrisë së Jashtme apo i kryeministrit. Edhe deputeti i PD, Tritan Shehu bëri thirrje që Presidenti të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ndërkohë edhe kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi ka kërkuar që kryeministri Edi Rama të jetë i pranishëm në sallën e Kuvendit e të japë përgjigje në lidhje me deklaratën e dhënë ditën e djeshme nga ambasada e SHBA-së. Lidhur me këtë, përgjigjen e dha Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, i cili u shpreh se nuk ka arsye për t’u alarmuar.
Debati:
Tritan Shehu: Nuk mund ta kalojmë me mendje lehtësi, ashtu siç ishte një reagim i qeverisë. Sot Rama duhet të referojë para Kuvendit, të dëgjojë pyetjet e deputetëve shqiptarë në lidhje me këtë çështje, për të sqaruar këtë [parlament, çfarë po ndodh, çfarë masash janë marrë. Nuk po shoh reagim as nga qeveria, as nga presidenca për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. E konsideroj serioz njoftimin e ambasadës amerikane, lidhje me pasigurinë në territorin shqiptar. Ishte serioz dhe tregon për diçka të rëndësishme që ne si deputetë duhet ta marrim në konsideratë. Nuk mund ta kalojë qeveria duke thënë se ishte hamendësim.
Ferit Hoxha: E vlerësoj shqetësimin e zotit Shehu. Dua të siguroj deputetin Shehu dhe gjithkënd, ne i ndjekim me vëmendje deklaratat dhe të gjitha zhvillimet. Nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar. Situata e sigurisë është e sigurisë. Janë çështje që ministria e jashtme merren më mënyrë të posaçme, siguroj që ne i ndjekim me shumë vëmendje deklaratat e partnerëve tanë, jemi në kontakt me ata këtu dhe në Uashtington, jemi në kontakt me NATO-n. Dua të them vlerësimi që kemi sot, është që nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar. Ka pasur një komunikim dje nga Kryeministria, duhet t’i qëndrojmë dhe për çdo gjë të re, ministria e jashtme apo ministritë e tjera do të informojnë në kanalet e duhur, natyrisht duke qenë në kontakt me Kryeministrin dhe Presidentin.
Gazment Bardhi: Çështja e sigurisë kombëtare nuk është çështje kafenesh, sepse thatë duhet t’i bëjmë jo në publik jo në seancë plenare. A Twitter-i nuk janë janë çështje të qeverisë. Për të mos ngjallur shqetësim te shqiptarët them se ne si deputetë nuk kishim asnjë informacion mbi deklaratën e Ambasadës. Një qeveri që për vite të tëra nuk pa 98% të territoreve të lira të mbjella me kanabis nuk mund të jetë e besueshme. Ta quash deklaratën e Ambasadës si hamendësim na bën qesharakë dhe tregon që nuk kemi bashkëpunim me partnerin tonë strategjik dhe se anëatrët e NATO nuk kanë besim mes njëri-tjetrit. Reaimi i ardhur dje nga Kryeministria është që shqiptarët nuk duhet t’i besojmë SHBA, është tentativë për të diskretituar Shtetet e Bashkuara, ndaj në mbështetje të Rregullores kërkojmë që Rama të jetë këtu e të na përgjigjet.



