TIRANË- Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro foli pas mbledhjes së qeverisë, ku deklaroi se nxënësit e klasave të 1 deri në të 5 do të përfitojnë tekstet shkollore falas për çdo vit. Më tej, Kumbaro shtoi se nxënësit e klasave të 6 deri në të 9 do të marrin tekste të reja njëherë në 3 vite. Sipas saj, ata janë më të rritur dhe konsiderohet se i mirëmbajnë më mirë ato.
Deri tani një vendim i ngjashëm prekte vetëm nxënësit nga klasa e parë në të tretë.
“Dy propozime të ministrisë janë miratuar. Ka të bëjë me arsimin paraunviersitar. Miratuam financimin nga buxheti i shtetit për klasat 4-5 për ciklin fillor për tekstet falas çdo vit, rreth 43 milionë lekë të reja. Bëhet fjalë përreth 9 mijë nxënës. Dua të theksoj që do të procedohet me të njëjtën logjikë njëherë në 3 vite për klasën 6-9, janë më të rritur dinë t’i mirëmbajnë tekstet. Vendimi 2 miraton mënyrën sesi llogaritet buxhetimi dhe financimi i kërkimit shkencor. Është një angazhim jo vetëm ligjor, por është dhe një angazhim që ka të bëjnë me kapitullin 25 për angazhimin në BE. Kapitulli 25-26 janë të ministrisë së Arsimit dhe të parët që do të mbyllen në procesin e negociatave”, tha Kumbaro./ZËRI



