Rishikimi i ‘paraburgimit’! PD letër Ambasadave: Monitoroni Gjykatën e Lartë, po synohet lirimi nga burgu i zyrtarëve të korruptuar


Rishikimi i 'paraburgimit'! PD letër Ambasadave: Monitoroni

Sokol Sadushi

TIRANË-Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike u ka dërguar një letër zyrtare ambasadave të akredituara në Tiranë, duke duke kërkuar monitorimin e procesit në Gjykata e Lartë e Shqipërisë. Shkak është bërë një vendim i kreut të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi i cili ka thirrur në një mbledhje Kolegjet e Bashkuara në 9 prill, për të rishikuar edhe njëherë vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e saj.

“Vendimi i vitit 2011 thotë se “kur kërkohet ose vendoset masa e sigurimit “arrest në burg”, gjykata nuk ka detyrim që të analizojë përse llojet e tjera të masave të sigurimit nuk janë të përshtatshme, mjafton që të argumentojë se masa e caktuar prej saj në rastin konkret ndaj të gjykuarit është masa e përshtatshme”.

Sipas Gjykatës së Lartë vendimet e gjykatave për masat e sigurisë duhet të jenë të arsyetuara, individuale dhe të plota, për të argumentuar se pse duhet ‘arrest me burg’ në vend të një mase alternative; duhet të jetë gjykata ajo që të japë prova se pse duhet vazhduar një arrest me burg dhe jo e kundërta; si edhe rrezikshmëria e një personi të akuzuar që sjell automatikisht “arrestin me burg” nuk mund të caktohet vetëm nga vepra penale.

Por sipas Partisë Demokratike në kërkesën drejtuar Ambasadave, kjo nismë, e nisur personalisht nga kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, është pa një bazë ligjore të qartë dhe vjen në një moment delikat për luftën kundër korrupsionit në vend. Sipas PD-së, çdo interpretim më i butë i paraburgimit mund të ndikojë në statusin e zyrtarëve të lartë politik dhe të figurave të krimit të organizuar që aktualisht ndodhen në paraburgim.

Opozita kërkon nga Ambasadat në Tiranë monitorimin e procesit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, transparencë dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare të shtetit të së drejtës, si dhe të mbështeten institucionet shqiptare në garantimin e një sistemi drejtësie të paanshëm dhe të pavarur.

LETRA:

Nëpërmjet kësaj letre, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, veçanërisht mbledhjen e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë më 9 prill, për të shqyrtuar çështje që lidhen me masën e sigurisë “arrest në burg” (paraburgim). Kjo paraqet një nismë personale të kryetarit Sokol Sadushi, pa një justifikim ligjor mbi bazën e saj.

Kjo nismë vjen në një moment delikat për luftën kundër korrupsionit në vend, ku një numër zyrtarësh të lartë dhe ish-zyrtarësh janë aktualisht nën hetim ose subjekt i masave të sigurisë për akuza të rënda, përfshirë korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës. Aktualisht, i vetmi zyrtar i lartë në detyrë që ndodhet në burg është Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Gjithashtu, ky vendim mund të ndikojë edhe disa figura të profilit të lartë të krimit të organizuar që aktualisht ndodhen në paraburgim.

Në të njëjtën kohë, deklaratat e fundit publike nga përfaqësues të lartë të pushtetit ekzekutiv, përfshirë Kryeministrin, kanë shprehur kritika ndaj përdorimit të “arrestit në burg” dhe praktikës më të gjerë të paraburgimit. Këto deklarata kanë ngritur shqetësime shtesë lidhur me perceptimin e mundshëm të ndikimit ose presionit ndaj institucioneve të drejtësisë në një moment kaq të ndjeshëm.

Ekziston një shqetësim i arsyeshëm publik se një interpretim i ri ose më i butë i kësaj mase sigurie mund të çojë në ndryshime në statusin e personave të ndaluar, përfshirë figura të profilit të lartë politik dhe të krimit të organizuar. Një zhvillim i tillë mund të ndikojë ndjeshëm besimin e publikut në pavarësinë e gjyqësorit dhe seriozitetin e përpjekjeve për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta.

Lufta kundër korrupsionit dhe mbajtja përgjegjëse e zyrtarëve të lartë janë shtylla thelbësore për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Çdo përpjekje që cenon luftën kundër korrupsionit, punën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), apo ndjekjen dhe ndëshkimin e duhur të figurave të larta politike, rrezikon gjithashtu të minojë rrugën e integrimit evropian të vendit.

Në këtë kontekst, ju bëjmë thirrje me mirësi që:


– Të monitoroni nga afër procesin dhe vendimmarrjen e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;


– Të inkurajoni transparencën dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare të shtetit të së drejtës;

-Të mbështesni institucionet shqiptare në garantimin e një sistemi drejtësie të paanshëm, të pavarur dhe konsistent.

Besimi i publikut në sistemin e drejtësisë është një element kyç për stabilitetin demokratik dhe integrimin evropian të Shqipërisë. Për këtë arsye, çdo vendim me ndikim të gjerë duhet të bazohet në parime të forta ligjore dhe të mbrohet nga çdo perceptim i ndikimit politik.

Ju falënderojmë për vëmendjen dhe angazhimin tuaj të vazhdueshëm në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Mbledhja e Kolegjeve të Bashkuara do të mbahet më 9 prill, ku pritet të analizohen kriteret për ndryshimet në vendimin e masës së arrestit. Në nismën e ndërmarrë analizohet se për të privuar një person nga liria duhet të plotësohen disa kushte, si dyshimet e arsyeshme se ai ka kryer një vepër penale, rrezikshmëria që ai paraqet, rreziku për t’i shmangur drejtësisë, apo për të prishur provat ose intimiduar dëshmitarët./ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll



Source link

Scroll to Top