Debatet brenda PS! Spiropali reagon me postim ‘të koduar’: Arroganca po bëhet normë, nuk flisni se keni frikë…


Debatet brenda PS! Spiropali reagon me postim 'të koduar':

Elisa Spiropali

TIRANË-Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka dalë me një reagim publik pas tensioneve të raportuara brenda partisë javët e fundit, nga mungesa e saj në seancën e Kuvendit ku u votua për kërkesën e SPAK ndaj Belinda Ballukut deri tek përplasja në mbledhjen e grupit parlamentar të PS me Erjona Ismailit, ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Duke i marrë me radhë mungesa e Spiropalit u komentua nga kreu i grupit parlamentar të PS gjatë një konference për shtyp, ku u shpreh se do të ketë një mbledhje grupi për të marrë vendim për deputeten. Një lëvizje erdhi vetëm pak ditë më vonë ku në mbledhjen e Asamblesë së PS, Elisa Spiropali u shkarkua dhe si drejtuese politike e Tiranës, vendin e të cilës e zuri kreu i grupit parlamentar Taulant Balla.

Tensioni i fundit ishte në mbledhjen e grupit parlamentar të PS mes Elisa Spiropalit dhe Erjona Ismailit, ku një ndërhyrje pati edhe nga vetë kryeministri Edi Rama. Përplasjen e fundit e pohoi edhe kreyparlamentari Niko Peleshi, i cili deklaroi se në mbledhje ka pasur diskutime që kanë zgjatur me orë të tëra, duke i konsideruar si të shëndetshme për frymën e brendshme të partisë.

Lidhur me episodet deri më sot Spiropali kishte zgjedhur mos reagonte rreth zërave. Në reagimin e gjatë Spiropali thekson se heshtja e saj nuk është një tërheqje, por një qëndrim i vetëdijshëm për reflektim në një moment që, sipas saj, shkon përtej një konflikti personal dhe lidhet me mënyrën se si funksionon politika dhe pushteti. Teksa ndalet tek klima politike, ajo flet për një model që, sipas saj, po normalizon arrogancën dhe abuzimin, duke i kthyer ato në forma të pranueshme.

Deputetja nuk flet me emra por shkruan se bindja shpërblehet më shumë se merita dhe debati, sipas saj, zëvendësohet nga një dakordësi e heshtur. Në këtë kontekst, deputetja nënvizon se frika nuk ka nevojë të shpallet, por ndihet dhe ndikon në mënyrën se si individët shprehen dhe veprojnë. Sipas socialistes fitorja nuk merret por provohet, ndërsa e mbyll postimin duke thënë se nuk ka folur për veten, sepse kjo nuk është një histori që fillon dhe mbaron me një individ.

Reagimi i plotë i Elisa Spiropalit:

Ka ditë që në emisione dhe forume flasin për mua, me një siguri që shpesh nuk vjen nga njohja, por nga nevoja për ta mbushur boshllëkun me versione. Zërat shtohen, interpretimet shumëfishohen, ndërsa ajo që mungon është qetësia për të kuptuar se jo çdo gjë që ndodh kërkon një rrëfim të menjëhershëm publik.

Heshtja ime nuk është mungesë përgjigjeje, është një kufi i vendosur mes asaj që duhet thënë dhe asaj që duhet kuptuar, sepse në një kohë kur gjithçka kërkon të shpjegohet, rrezikojmë të humbasim kuptimin e vetë përgjegjësisë. Ajo që po ndodh nuk është thjesht një çështje personale, por një shfaqje e një modeli që po zgjerohet me një normalitet të heshtur, ku arroganca dhe abuzimi nuk paraqiten më si devijime, por si forma të pranueshme shoqërore.

Ky model nuk imponon vetëm vendime, por ndërton një kulturë ku bindja konsiderohet virtyt dhe përshtatja shpërblehet më shumë se merita, duke e zhvendosur gradualisht politikën nga një hapësirë e konkurrencës së ideve në një strukturë të mbyllur ku rëndësi ka sa përshtatesh, jo sa vlen. Në këtë rrjedhë, fitorja fillon të humbasë përmbajtjen e saj morale dhe reduktohet në rezultat, ndërsa besimi që e legjitimon atë dobësohet në mënyrë të padukshme. Dhe kur iluzioni zëvendëson reflektimin, atëherë edhe dinjiteti fillon të trajtohet si një element i negociueshëm, i varur nga momenti dhe nga pozicioni, jo si një vlerë që qëndron përtej pushtetit.

Këtu fillon edhe heshtja e debatit, jo si mungesë mendimesh, por si mungesë hapësire për t’i vënë në jetë. Sepse debati nuk zhduket, ai shtypet, dhe kur shtypet, nuk krijon qetësi, por grumbullim të padukshëm tensioni. Dhe pikërisht aty ku debati zëvendësohet nga dakordësia e heshtur, meritokracia fillon të përmendet si parim, por nuk funksionon më si praktikë, sepse ajo kërkon një drejtësi që nuk pranon kompromise me rehatinë e pushtetit.

Në këtë klimë, frika nuk ka nevojë të shpallet për të ekzistuar, ajo ndihet, shpërndahet në mënyrë të heshtur dhe bëhet pjesë e një rendi të ri ku njerëzit mësohen të masin fjalët, jo për nga vërtetësia, por për nga pasojat. Dhe kur kjo ndodh, liria humbet karakterin e saj si ushtrim i përditshëm dhe reduktohet në një dëshirë që përmendet më shumë sesa praktikohet. Kjo është ndoshta forma më e rafinuar e kufizimit, kur liria nuk ndalohet, por zbehet. Ndërkohë, Europa mbetet referencë e përhershme në diskurs, një fjalë që përdoret për të legjitimuar çdo drejtim.

Europa nuk është një narrativë për t’u cituar, por një rend vlerash që kërkon përputhje, dhe çdo distancë mes fjalës dhe praktikës e bën këtë referencë të zbrazët. Në këtë pikë, politika përballet me një pyetje që nuk mund ta shmangë: a jemi duke ndërtuar një sistem që prodhon përgjegjësi apo një sistem që e justifikon dhe riprodhon veten?

Fitorja nuk merret, ajo provohet. Meritohet kur njerëzit nuk të ndjekin nga frika, por të besojnë nga bindja, dhe kur largohesh, mbetet respekti, jo vetëm rezultati.

Prandaj, nuk kam folur për veten, sepse kjo nuk është një histori që fillon dhe mbaron me një individ. Është një pasqyrë e një kohe që kërkon më shumë reflektim se reagim. Dhe ndoshta, në një moment kur gjithçka kërkon zë, heshtja bëhet forma më e fortë e fjalës, sepse ajo nuk i nënshtrohet menjëhershmërisë, por i jep kohë të vërtetës të marrë formë.

Poll



Source link

Scroll to Top