TIRANË-Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, në konferencë për shtyp këtë të martë, 31 mars ka folur rreth skemës Kombëtare Mbështetëse për Fermerët. Salla ka deklaruar se për fermerët do të jepet 10 mijë euro grant, ku nga këto 3 milion do të shkojnë për ndërtimin e staneve dhe 500 mijë lekë për makineritë e bujqësisë. Në fjalën e tij Salla u shpreh se do të dyfishohet mbështetja për bletarinë dhe për herë të parë do të jepen lekë edhe për dosën, në sektorin e derrit.
“Do të mbështesim të gjitha aplikimet apo projektet, që janë investimet në sera, pemë frutore, vreshta, stalla, mekanikë bujqësore, agroturizëm…Do të hapim investime për thirrje të reja, për fermerët e rinj të cilët do të mbështeten me 10 milionë lekë ose 10 mijë euro grant, kryesisht në blegtori. Për ndërtimin e staneve për blegtorët me grant diku te 3 milion lekë, për pajisje dhe makineri bujqësore me grant 500 mijë lekë, ku përfshihen tankerat për ruajtjen e qumështit dhe vajin e ullirit. Prioritet do ketë në blegtori, ku për gjedhë nga 10 mijë lekë në 12 mijë lekë, për të imtat nga 1200 lekë në 1500 lekë, ku dyfishohet për bletën nga 1 mijë lekë në 2 mijë lekë, që është një nga mbështetjet që i kemi dhënë bletarisë. Kemi rreth 600 mijë koshere dhe duam ta çojmë në vitin 2027 në 1 milion. Për herë të parë, japim 7 mijë lekë për dosën, në sektorin e derrit. Është një masë e re që e kanë adresuar fermerët,“- u shpreh Salla.



