TIRANË-Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot, në orën 17:00, seancën plenare të radhës, sipas rendit të ditës të miratuar me urdhër të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Në nisje të seancës pritet miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datave 12 dhe 17 mars 2026, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
Pjesa kryesore e rendit të ditës i kushtohet diskutimeve për çështje të evidentuara nga zgjedhësit. Koha totale e diskutimeve, deri në 4 orë, ndahet mes shumicës dhe pakicës parlamentare, duke përfshirë edhe deputetët jashtë grupeve.
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të ketë 142 minuta, ndërsa grupi parlamentar i Partisë Demokratike 60 minuta. Ndërkohë, grupet “Aleanca për Ndryshim” dhe “Partia e Lirisë” do të kenë nga 12 minuta secili.
Ndërkohë Partia Demokratike ka kërkuar këtë të hënë, 30 mars, interpelancë me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, lidhur me situatën në Policinë e Shtetit dhe shqetësimet për korrupsionin. Në shkresë thuhet se PD do t’i kërkojë llogari Lamallarit për atë që ata e cilësojnë si ndikim i krimit në Policinë e Shtetit dhe struktura të tjera të sigurisë./ZËRI



