TIRANË- Partia Demokratike ka zbardhur detajet lidhur me procesin zgjedhor dhe organizativ. Udhëzimi, i cili është firmosur nga Sali Berisha dhe Flamur Noka, mban datën 17 mars 2026. Në maj, përmbyllet afati katërvjeçar për të gjitha organet drejtuese të PD, duke bërë të nevojshme rinovimin për një procesi statutor.
Siç theksohet në udhëzimin e ndarë, ky proces duhet të jetë i rregullt, transparent. Zgjedhjet në të gjitha degët dhe në të gjitha nivelet e strukturës së degëve të PDSH, do të mbahen brenda datës 30 prill.
“Brenda datës 30 prill 2026 zhvillimin e zgjedhjeve në të gjitha degët dhe nivelet e strukturës nga kryetar, nënkryetar, sekretar seksioni, grupseksioni, kryetar dege dhe kryesitë e degëve. Në këtë udhëzim theksohet se zgjedhjet duhet të zhvillohen në përputhje me parimet e Statutit, për zgjedhje të lira, të fshehta dhe demokratike”, thuhet në vendim.
VENDIM:
Vendimin e Kryesisë nr 35 datë 17.03.2026 “Mbi proceset zgjedhore dhe Organizative të PDSH;
Udhëzimin nr 2 datë 27.03.2026 të Sekretarit të Përgjithshëm “Për mbajtjen e procesit zgjedhor në të gjitha nivelet e strukturës vendore të Partisë Demokratike”;
Udhëzimin nr 3 datë 27.03.2026 të Sekretarit të Përgjithshëm “Mbi procesin e propozimit dhe zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë së degës”
Duhet të filloni menjëherë nga puna, të raportoni progresin sipas përcaktimeve në udhëzim dhe të respektoni me rigorozitet afatet kohore.
Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike janë planifikuar të mbahen më 23 maj. Ndërkohë, më 6 qershor pritet të zhvillohet edhe Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, ku do të formalizohen strukturat drejtuese dhe vendimmarrjet e reja politike të kësaj force.
Vetë Berisha ka zbuluar në mbledhjen e Kryesisë, se Kuvendi Kombëtar i PD do të mbahet në fillim të qershorit. Ai u bëri thirrje strukturave të vijojnë procesin e riorganizimit në degët e PD-së dhe ta finalizojnë atë brenda afateve të përcaktuara./ZËRI



