“Reforma Territoriale”/ Bashkimi i bashkive të vogla me fqinjet e mëdha, e deri te kryetarët e qarqeve, Mazniku zbulon 4 skenarët e PS


“Reforma Territoriale”/ Bashkimi i bashkive të vogla me fqinjet

Arbjan Mazniku

TIRANË- Gjatë mbledhjes së grupit Parlamentar të Partisë Socialiste u prezantua për herë të parë projekti i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale. Drejtuesi i këtij komisioni deputeti socialist Arbjan Mazniku, zbuloi 4 skenarët e PS për Reformën Territoriale.

Mazniku nënvizoi se skenarët, sipas tij, janë krijuar me vlerësim të detajuar ligjor dhe analizë përputhshmërie me Kartën Europiane të Autonomisë Vendore.

4 skenarët:

Skenari 1 — Konsolidimi Funksional: bashkitë e vogla bashkohen me fqinjet më të forta, qarqet mbeten si nivel koordinues. Avantazhi: zbatim i shpejtë me kosto të ulët politike dhe pa ndryshim kushtetues.

Rreziku: Mungon niveli strategjik ndërbashkiak dhe përputhja me kërkesat e BE-së mbetet e kufizuar.

Skenari 2 — Konsolidim dhe Decentralizim: bashki të mëdha në shkallën e ish-rretheve si nivel ekzekutiv kryesor, ndërsa ish-bashkitë aktuale marrin statusin e qytetit me kryetar e këshill të zgjedhur drejtpërdrejt. Avantazhi: dy nivele me legjitimitet demokratik të dyfisht dhe efikasitet i lartë në shërbimet komplekse.

Rreziku: Konsolidimi kërkon ndryshim të madh kufijsh dhe transferim masiv të stafit, aseteve dhe sistemeve.

Skenari 3 Forcimi i Qarkut: ruhen të gjitha bashkitë dhe qarqet, por qarku transformohet nga nivel koordinues në nivel ekzekutiv real me zgjedhje të drejtpërdrejtë — funksionet ndahen sipas natyrës së tyre, jo sipas madhësisë së bashkisë. Avantazhi: nuk ndryshon asnjë kufi — shmang tensionin territorial dhe ka precedent të fortë europian.

Rreziku: Kapacitetet aktuale të qarqeve janë shumë të ulëta dhe ekziston rreziku që qarku të jetë më i dobët se bashkia që zëvendëson.

Skenari 4 — Rajonet Strategjike: bashkitë shumë të vogla konsolidohen lehtësisht, qarqet thjeshtësohen, dhe shtohen katër rajonë strategjike për planifikimin afatgjatë, infrastrukturën e rëndësishme dhe fondet e BE-së. Avantazhi: përputhja më e lartë me kërkesat NUTS-2 të BE-së dhe kapacitet për projekte madhore.

Rreziku: Tre nivele qeverisjeje rrisin burokracinë, ndërsa rajonet e reja kanë legjitimitet të dobët demokratik për shkak të zgjedhjes së tërthortë.

Asnjë nga skenarët e prezantuar nuk u përzgjodh si zgjedhja përfundimtare, ndërsa Mazniku u shpreh se procesi kalon nëpër konsultime publike, dëgjesa në territor dhe dokument politik para se të arrihet te paketa ligjore./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top