TIRANË- Gjatë mbledhjes së Asamblesë të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama u shpreh se pagat në sektorin privat dhe publik po rriten. Po ashtu, Rama foli rreth planit 4-vjeçar të rritjes së dyfishtë të pensioneve.
Kryeministri shpjegoi skemën, duke thënë se rritja e pensioneve është një plan 4-vjeçar, ku çdo vit do të dyfishohet.
“Duke qenë se ne kemi rinisur punën në funksion të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, ne fitoret tona i projektojmë, i përgatisim duke marrë kohë dhe shumë më parë se gjithë të tjerët, ne kemi parë nevojën të bëjmë një ristrukturim të punës në Bashkinë e Tiranës. Organizimi është a-ja. Ne sot jemi në një situatë që me kënaqësi e shohim që pagat në sektorin privat rriten. Pagat në sektorin publik janë rritur. Tani pensionet kanë hyrë në planin e rritjes i cili është një plan 4 vjet rresht ku çdo vit rritja do të dyfishohet. Nëse këtë vit pensioni në muaj është rritur X, vitin tjetër, nga janari do të jetë X herë 2, pastaj vitin tjetër do të jetë X herë 3 sepse na janë krijuar mundësitë dhe kjo do të thotë që funksionon ekonomia”, tha Rama./ZËRI



