Dosja Meta për gjykim! Avokatët për aferën CEZ-DIA: Do publikojmë videon e një politikani që merr para


Dosja Meta për gjykim! Avokatët për aferën CEZ-DIA: Do

Kujtim Cakrani, Ilir Meta dhe Gylsen Zhllima

TIRANË-Avokatët e ish-presidentit Ilir Meta nga një konferencë për shtyp, lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj kreut të PL, paraljamëruan publikimin e një materiali të ri që do të tregojë me emër dhe mbiemër një politikan që merr para në dorë, si pjesë e marrëveshjes shumë të diskutuar CEZ-DIA, duke theksuar se Meta nuk ka asnjë lidhje me këtë aferë.

Avokatët Kujtim Cakrani dhe Gylsen Zhllima, pretendojnë se procesi gjyqësor ndaj Metës nuk bazohet në prova dhe fakte, por është një plan afatgjatë që ka si qëllim eliminimin politik të ish-presidentit, i cili ka nisur nga viti 2011-të, duke risjellë në vëmendje edhe një herë videon mes ish-ministrit të ndjerë Dritan Prifti dhe Zv. Kryeministrit Ilir Meta në atë kohë, ku bëhej fjalë për një korrupsion prej 700 mije eurosh.

Avokati Gylsen Zhllima: Por ajo që duhet të duket e çuditshme është kjo, e lidhur nga 2011-ta në vazhdim, që eliminimi politik i zotit Meta nuk është thjesht një plan afatshkurtër, është një plan afatgjatë dhe kuptohet që donin ta implikonin me shumë fakte penale, pra të asaj që ne themi perceptimi, pra drejtësia perceptuese njerëzore është më e rrezikshme se ajo faktike penale, por ne po paraqesim tek ju se si ata në perceptimin publik të videos së famshme të 2011-ës, në rast se do të kishte i ndjeri Dritan Prifti një fakt penal kundër zotit Meta, nuk do të bënte videon ku dyshohet që ka edhe një video për zotin Dritan Prifti, por ai do të sillte si fakt penal konkret rastin CEZ-DIA. Por ne do na lejoni, sepse edhe minutat janë të shkurtra, ne do na lejoni që në konferencën e radhës do ju nxjerrim një material ku duket qartë me emër dhe mbiemër politikani, i cili do të marri para në dorë nga kjo marrëveshje e famshme që është CEZ-DIA, që nuk ka lidhje fare i mbrojturi prej nesh zoti Ilir Meta.

Mbrojtja e Metës nuk ka dhënë emër konkret të politikanit që pretendohet, ndërsa u shprehën se pamjet do të publikohen javën e ardhshme. Ndërkohë më 18 mars GJKKO vendosi që dosja ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe të pandehurve të tjerë, të kalojë për gjykim. Dosja përfshin tre hetime, çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror.

Meta akuzohet për tre vepra penale, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. Po të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi ish-deputeten dhe ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi. Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje.

Meta dhe Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top