TIRANË- Ditën e nesërme, 28 mars, kryeministri Edi Rama do të mbledhë qeverinë dhe Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste (PS), në Pallatin e Kongreseve. Mbledhja me në fokus sfidat parlamentare, do të nisë në orën 11:00. Sipas burimeve, një theks të veçantë do të ketë edge çështja integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sipas agjendës parashikohet:
-Mbledhja do të nisë me fjalën e kryetarit të Grupit Parlamentar, Taulant Balla
-Më pas do të flasë kryeministri Edi Rama (adresimet që do t’i bëjë Grupit Parlamentar)
-Raportim nga drejtuesia e Kadastrës, Lorena Goxhobeli
-Raportime edhe nga bashkëkryetari i PS për Reformën Territoriale, Arbian Mazniku
(Për çdo folës është parashikuar një kohë prej 2 minutash për pyetje dhe diskutime)
-Mbledhja pritet të mbyllet me konkluzionet, ndërsa janë edhe disa nisma ligjore që së shpejti pritet të diskutohen në Parlament (Kodi i ri Penal, Ligji për Referendumet, Reformat zgjedhore dhe ajo Territoriale).
Pjesë e sesionit të takimit do të jetë edhe prezantimi i Strategjisë së Komunikimit nga Erjona Ismaili, duke përfshirë planet dhe masat për komunikimin efektiv të aktivitetit parlamentar dhe prioriteteve të PS-së.
Mbledhja do të mbyllet me fjalën e kryetarit të Grupit Parlamentar, Taulant Balla, i cili po ashtu është ai që hap mbledhjen.
Gjatë ditëve të fundit, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një seri takimesh me ministra në ‘Vilën 30’. Më 24 mars, ai u takua me ministrin e Drejtësisë Besfort Lamallari, ku të pranishëm ishin dhe 3 zv/ministra Xhemal Qefalia, Silva Caka dhe Anisa Ruseti. Gjithashtu, përveç ministrave, kryeministri Rama ka takuar edhe drejtoriin e komanduar të Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, dhe atë të “Illyrian Guard”, Florenc Spaho.
Një ditë më pas, 25 mars, kryeministri Edi Rama zhvilloi takime të tjera në zyrën e Kryeministrisë. Fillimisht priti kreun e Grupit Parlamentar, Taulant Balla, ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, dhe ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili. Më pas, kryeministri Rama zhvilloi takim edhe me ministren e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, si dhe me drejtues të institucioneve të varësisë, përfshirë kreun e AKSHI, Igli Tafa. Në fokus të diskutimeve ishte ecuria dhe axhenda e punës së ministrive dhe institucioneve, duke synuar koordinimin mbi prioritetet qeveritare dhe projekte strategjike në zhvillim./ZËRI



