“Monitorim edhe për çmimet e shportës”, Ibrahimaj: Bordi i Transparencës aktiv deri në stabilizim! (VIDEO)


"Monitorim edhe për çmimet e shportës", Ibrahimaj:

delina ibrahimaj

TIRANË- Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se çmimi i naftës është në monitorim të vazhdueshëm, në një kohë që po regjistrohen luhatje në tregjet ndërkombëtare. Ibrahimaj theksoi se çmimet do të vendosen nga Bordi, i cili do të funksionojë deri sa çmimet të stabilizohen.

Ibrahimaj pranoi çmimi i naftës në vend ka pësuar një rritje rreth 24% që prej fillimit të luftës në Lindjen e Mesme dhe për këtë do të jetë Bordi që do të frenojë abuzimet dhe për të garantuar transparencë në treg. 

Çmimet e shportës ushqimore gjithashtu kanë pësuar luhajte, ndërsa ministrja njofton se ka nisur monitorimi ditor në bashkëpunim me INSTAT.

“Kemi parë që nga fundi i muajit shkurt një situatë që ishte stabël, çmimi mestar ishte 173. Kemi pasur luhatje në mars ku çmimi mesatarisht ka qenë 200 lekë dhe ka arritur 215 lekë maksimumi. Ne kemi pasur një rritje të çmimit të naftës prej 24%. Sa i takon bursës dhe çmimeve të bursës, që nga shkurti është rritur me 99.7%. Është evidente që rritja e çmimit të bursave ndonëse ka ndikuar në çmimin ditor s’ka një pasqyrim direkt me të njëjtën vlerë dhe përmasë në çmimet vendase. Dje mblodhëm Bordin, dhe anëtarë të tjerë të bordit, me qëllim diskutimin për çmimet dhe vendosjen të çmimeve maksimale të tregtimit, mekanizëm që përdoret është një formulë e bazuar në aktin e marrë në vitin 2022 kur kishim një situatë të ngjashme, bazohet në çmimet ditore të bursës dhe i shtohet një marzh 3 lekë për shumicën dhe 12 lekë për pakicën.

Marzhet janë minimale, nuk janë marzhe fitimi, por të përballimit të shpenzimeve kryesore që kompanitë kanë. Qëllimi kryesor është që në një situatë ku çmimet po rriten në mënyrë të vazhdueshme të jemi transparentë dhe të mos lejojmë asnjë abuzim për konsumatorët. Jemi duke e bërë edhe për çmimet e shportës së ushqimeve, që kanë pasur luhatje, kemi nisur monitorim ditor në bashkëpunim me INSTAT, por do të nisim një mbikëqyrje nëpërmjet Inspektoratit Shtetëror te Mbikëqyrjes së tregut që ka si funksion të mbrojë konsumatorin. Qëllimi ynë është të kujdesemi që efektet e luftës të kenë sa më pak ndikim në konsumatorët shqiptare dhe që tregu është duke funksionuar normalisht, dhe jo duke abuzuar”, tha Ibrahimaj.

Ministria u shpreh se qeveria po bën gati edhe një akt për të ndërhyrë në uljen e akcizës. E pyetur për paketa mbështetëse për qytetarët, kryesisht për pensionistët dhe shtresat në nevojë për të cilët çmimi më i ndjeshëm, Ibrahimaj deklaroi se do të ndërhyet nëse do të jetë e nevojshme.

“Sa i takon ndërhyrjeve të tjera, do të bëjmë një akt që do ndërhyjë në reduktimin e akcizës në nivel 20%, do të miratohet në këshillim e Ministrave dhe do behet publike në momentin e duhur. Kemi gjykuar që për pensionistët dhe shtresat në nevojë çmimi më i ndjeshëm është energjia elektrike dhe shporta bazë e ushqimeve. Nëse do të ketë nevojë për ndërhyrje, siç kemi bërë më parë, nuk ndryshuam çmimin e energjisë dhe ndërhymë në disa paketa mbështetëse për kategoritë në nevojë.”, shtoi Ibrahimaj. 

Bordi i Transparencës zhvilloi dje mbledhjen e parë lidhur me çmimet e karaburanteve në vend që kanë njohur një rritje të ndjeshme për shkak të luftës në Lindjen e Mesme. Bordi vendosi uljen e çmimeve të karburanteve. Që nga përshkallëzimi i krizës në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës për 1 litër pësoi rritje me 41 lekë duke u tregtuar nga 214 deri në 217 lekë. Me çmimin tavan të përcaktuar nga Bordi, ulja që ka pësuar nafta në tregun me pakicë është deri në 14 lekë./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top