TIRANË- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, ka konfirmuar se në QSUT pas datë 20 të çdo muaji nuk do të mund të kryhen analizat laboratorike për pacientët e shtruar, për shkak të mungesës së fondeve. Sala shtoi se po mblidhen të gjitha të dhënat dhe do të bëhet një vlerësim i detajuar për të adresuar problemin dhe gjetur zgjidhjen.
“Aktualisht po vlerësojmë, kemi të gjithë të dhënat, dhe mbi bazën e tyre do të planifikojmë mirë shërbimin. Nuk duhet të mungojnë analizat dhe këtë po e adresojmë dhe do ta zgjidhim brenda këtij viti”, tha ministrja.
Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë u pyet nga gazetarët edhe për koncesionin e sterilizimit, i cili pas 10 vitesh ka kaluar në pronësi të shtetit. Sala bëri me dije se procesi po mbahet në monitorim dhe deri më tani ka funksionuar shumë mirë.
“Koncesioni i ka kaluar shtetit, ka 3 javë që i ka kaluar. U ngrit kapaciteti dhe po funksionon shumë mirë. Është ngritur shoqëria dhe po bëhet punë shumë e mirë, po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme”, tha ministrja.
Gjithashtu, Sala njoftoi se brenda vitit 2027 qeveria synon të rimbursojë trajtimin për personat e prekur nga diabeti tipi 1, duke përmirësuar kështu mbështetjen për pacientët kronikë.
Shërbimi i analizave laboratorike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ofrohet përmes një kontrate Partneriteti Publik-Privat (PPP) mes spitalit, përmes Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, dhe një koncesionari privat. Kontrata përcakton shërbimin, tarifat dhe tavanet buxhetore mujorë për analizat që do të kryhen. Sipas kontratës, saposh arrihet një kufi i caktuar i buxhetit, koncesionari nuk ka më detyrim të kryejë analizat rutinë, edhe nëse pacienti ka ende nevojë mjekësore./ZËRI



