TIRANË- Ministri i Shtetit për Pushtetit Vendor, Ervin Demo pas mbledhjes së qeverisë, tha se sot do të mblidhet Bordi i Transparencës. Demo shtoi se po merret informacion për ndryshimin e çmimeve dhe Bordi do të dalë sot me një vendimmarrje. Demo u shpreh se prioritet është garantimi i transparencës në mënyrë që kjo situatë të mos përdoret në kurriz të qytetarëve.
“Sa i përket Bordit, Bordi sot do të mblidhet. Po merret informacioni për ndryshimin e çmimeve. Bordi do të dalë me një vendimmarrje sot. Kuptohet që rritja e çmimit të naftës dhe inflacioni që sjell në produkte, kërkon një kohë të caktuar. E para, të garantojmë transparencën, jo vetëm me produktet bazë, por edhe me produktet si nafta, ose që kanë të bëjnë me energjinë. Në treg nuk mund të përdoret kjo situatë, në kurriz të qytetarëve”, theksoi ai.
Qeveria pritet të caktojë sot anëtarët e Bordit të Transparencës, strukturë e ngritur prej 19 marsit, kur çmimi i naftës kërceu në 217 lekë për litër. Pas kësaj rritjeje qeveria vendosi të rikthejë Bordin e Transparencës, i cili cakton çmimet tavan. Bordi do të vendosë marzhet e fitimit për shoqëritë e tregtimit të karburanteve, në 3 lekë për litër (shumicë) dhe 12 lekë për litër në pakicë, duke synuar më shumë transparencë dhe kontroll.
Detyra e këtij bordi është monitorimi i kostove të prodhimit për të gjithë tregtarët, vendosjen dhe ruajtjen e çmimeve, monitorimin e subjekteve me qëllim shmangien e rasteve abuzime. Kompanitë kishin afat deri më datë 24 mars që të dorëzonin pranë ministrit përgjegjës për Ekonominë përfaqësuesit e tyre në përbërje të këtij bordi.
Pothuajse një muaj nga nisja e konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës dhe benzinës në vendin tonë ka pësuar vetëm rritje në vazhdimësi. Pas rritjes së çmimit të karburanteve qeveria ngriti Task-Forcë për kontrollin e tregut të hidrokarbureve me qëllim për të shmangur abuzimin me çmimet. Kërkesa për rishikimin e taksave është bërë dhe nga Konfidustria pasi në një litër naftë rëndojnë 4 taksa: akciza, TVSH-ja, taksa e karbonit dhe e qarkullimit./ZËRI



