TIRANË- Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale, Evis Sala, njoftoi sot se Këshilli i Ministrave ka miratuar ngritjen e Komisionit të Çmimeve të Barnave. Sipas ministres, ngritja e Komisionit përbën një të rëndësishëm që synon të rrisë transparencën dhe të përshpejtojë procedurat në sektorin farmaceutik.
“Me miratimin sot të këshillit të ministrave, për ngritjen dhe mënyrën të komisionit të çmimit të barnave u hodh një hap i rëndësishëm për më shumë transparencë, stabilitet dhe siguri në tregun e barnave në Shqipëri. Ky vendim vjen si një nevojë e hershme për shpejtimin e procedurave dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm të barnave për qytetarët.”, është shprehur ministrja.
Vendimi sipas ministres parashikon:
-Përcaktim më të qartë të çmimeve përmes një metodologjie të standardizuar,
-Përshpejtim të afateve dhe procedurave për të shmangur mungesat,
-Një dispozitë të veçantë për vitin 2026, për të siguruar që barnat të mos tërhiqen nga tregu,
-Garantimin e qëndrueshmërisë së barnave dhe një treg farmaceutik më të sigurt,
-Sigurimin që çdo pacient në Shqipëri të ketë barna në kohën e duhur dhe me standarde të larta cilësie.



