TIRANË- Kryeministri Edi Rama do të mbledhë të shtunën, më 28 mars, qeverinë dhe Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste e Shqipërisë. Takimi do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, në orën 11:00. Në fokus të mbledhjes do të jetë strategjia e jetës parlamentare socialiste, me theks të veçantë te çështja prioritare e integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian.
Sipas agjendës mbledhja do të nisë me fjalën e kryetarit të Grupit Parlamentar, Taulant Balla, ndërsa pas tij do të flasë kryeministri Edi Rama.
Më pas do të ketë raportime nga eksponentë të tjerë socialistë dhe ekspertë të komunikimit, përfshirë Lorena Goxhobelli dhe Arbjan Mazniku. Për çdo folës është parashikuar një kohë prej 2 minutash për pyetje dhe diskutime.
Pjesë e sesionit të takimit do të jetë edhe prezantimi i Strategjisë së Komunikimit nga Erjona Ismaili, duke përfshirë planet dhe masat për komunikimin efektiv të aktivitetit parlamentar dhe prioriteteve të PS-së.
Mbledhja do të përmbyllet me konkluzionet e kryetarit të PS-së dhe kryeministrit Edi Rama, ndërsa mbyllja e takimit do të jetë me fjalën e kryetarit të Grupit Parlamentar, Taulant Balla, i cili po ashtu është ai që hap mbledhjen.
Në dy ditët e fundit, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një seri takimesh me ministra në ‘Vilën 30’. Ditën e djeshme, ai u takua me ministrin e Drejtësisë Besfort Lamallari, ku të pranishëm ishin dhe 3 zv/ministra Xhemal Qefalia, Silva Caka dhe Anisa Ruseti. Gjithashtu, përveç ministrave, kryeministri Rama ka takuar edhe drejtoriin e komanduar të Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, dhe atë të “Illyrian Guard”, Florenc Spaho.
Ndërkohë që sot, kryeministri Edi Rama zhvilloi takime të tjera në zyrën e Kryeministrisë. Fillimisht priti kreun e Grupit Parlamentar, Taulant Balla, ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, dhe ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili. Më pas, kryeministri Rama zhvilloi takim edhe me ministren e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, si dhe me drejtues të institucioneve të varësisë, përfshirë kreun e AKSHI, Igli Tafa. Në fokus të diskutimeve ishte ecuria dhe axhenda e punës së ministrive dhe institucioneve, duke synuar koordinimin mbi prioritetet qeveritare dhe projekte strategjike në zhvillim./ZËRI






