Përplasje mes Ballës dhe Spiropalit? Kreu i grupit të PS: Vendimi për mungesën i takon grupit. Deputetja: Mblidhe sa më parë!


Përplasje mes Ballës dhe Spiropalit? Kreu i grupit të PS: Vendimi

elisa spiropali dhe taulant balla

TIRANË- Mungesa e deputetes socialiste Elisa Spiropali në Kuvend më 12 mars të këtij viti, ku mazhoranca rrëzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit parlamentar të Belinda Ballukut, duket se ka sjellë “përplasje” me kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Ballës.

I pyetur nga gazetarët nëse do të merrte masa për mungesën e Spiropalit në seancë, Balla tha sot se mund të mbledhë grupin parlamentar të PS për të marrë një vendim lidhur me mungesën e deputetes.

 “Nuk i marr vetëm vendimet, i marr me grupin parlamentar. Që kështu do ta pyes dhe grupin parlamentar për këtë çështje”, deklaroi Balla sot.

Disa orë pas kësaj deklarate, përmes një postimi në rrjetet sociale, reagoi edhe deputetja socialiste. Spiropali shprehet se nëse e gjykon si çështje që ka nevojë për konsultim, ta mbledhë sa më parë grupin dhe të marrë një vendim. Më tej, ajo shton se “çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr”.

“Taulant, e lexova me vonesë një deklaratë tënden publike. Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë. Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë. Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr. Rëndësi ka që vendimi të jetë i menduar, i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë që kemi përballë publikut”, shkruan Spiropali.

Më 12 mars, u mbajt seanca plenare, ku me 82 vota kundër rrëzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Ballukut. Gjatë seancës, u vu re mungesa e Spiropalit, gjë që duket se ka shkaktuar përplasje mes deputetëve./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top