TIRANË- Partia Demokratike protestoi mbrëmjen e 22 marsit, teksa u përsërit skenari i molotovëve dhe fishekzjarrëve, duke nxitur tensione dhe përplasje të ashpra e për pasojë u regjistruan edhe të lënduar, mes tyre edhe efektivë. Lidhur me këtë ‘panoramë’, ka ardhur një reagim nga Ambasada e Gjermanisë në Shqipëri.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ambasada dënon dhunën ‘e papranueshme’, ndërsa thekson se protestat janë e drejtë themelore në çdo shoqëri demokratike, por ato ‘nuk mund të përligjin asnjëherë dhunën ndaj personave apo objekteve’. Në fund, ambasada inkurajon partitë politike që të distancohen nga dhuna.
Reagimi i plotë i Ambasadës:
Ambasada Gjermane dënon dhunën e papranueshme në kuadër të demonstratave të djeshme. Protestat politike dhe e drejta për të demonstruar janë të drejta themelore në çdo shoqëri demokratike.
Por ato nuk mund të përligjin asnjëherë dhunën ndaj personave apo objekteve. Ne kërkojmë prej përfaqësuesve të partive politike përgjegjëse të distancohen në mënyrë të paekuivoke nga dhuna.
Në protestën e opozitës nuk munguan incidentet. Breshëri molotovësh drejt godinave qeveritare dhe përplasje fizike, ku 6 efektivë të policisë mbetën të lënduar. Ndërsa 15 persona janë arrestuar nga policia pas protestës, 9 prej tyre janë nën hetim në gjendje të lirë, mes tyre edhe deputeti i PD, Klevis Balliu. Në total janë 24 të shoqëruar, mes tyre 5 mitur. /ZËRI




