TIRANË-Ka hyrë zyrtarisht në fuqi Bordi i Transparencës. Në datën 18 mars, qeveria propozoi ngritjen e Bordit të Transparencës për çmimet bazë, ndërsa vendimi për rikthimin e Bordit është publikuar zyrtarisht në Fletoren Zyrtare. Detyra e këtij bordi është monitorimi i kostove të prodhimit për të gjithë tregtarët, vendosjen dhe ruajtjen e çmimeve, monitorimin e subjekteve me qëllim shmangien e rasteve abuzime. Kompanitë kanë afat deri më datë 24 mars që të dorëzojnë pranë ministrit përgjegjës për Ekonominë përfaqësuesit e tyre në përbërje të këtij bordi.
“Çmimet, që përcaktohen nga Bordi gjatë situatës së veçantë, janë të detyrueshme për të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e tregtimit të nënprodukteve të naftës dhe të gazit në vend”– thuhet në vendim.

Vetë kryeministri Edi Rama një ditë më parë (22 mars) informoi se Bordi i Transparencës do të ndërhyjë në akcizën e naftës, duke i bërë asaj një ulje me rreth 20 %. Rama theksoi se niveli i rritur i përfitimit që do të vijë në arkën e shtetit nga rritja e çmimit, cilidoqoftë ai, pas uljes që iu bë akcizës, do të shkojë vetëm për të mbrojtur pensionistët.
Aktualisht akciza është 38.8 lekë për çdo litër naftë dhe me uljen prej 20% shkon në 31.68 lekë për çdo litër naftë. Prej më shumë se dy javësh nga nisja e konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës dhe benzinës në vendin tonë ka pësuar vetëm rritje në vazhdimësi. Çmimi i naftës në Shqipëri për një periudhë të shkurtër ditore arriti deri në 217 lekë/litri. Bordi do të vendosë marzhet e fitimit për shoqëritë e tregtimit të karburanteve, në 3 lekë për litër (shumicë) dhe 12 lekë për litër në pakicë, duke synuar më shumë transparencë dhe kontroll./ZËRI





