TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zbardhur skenarin e protestës kombëtare që opozita do të zhvillojë nesër. Kryedemokrati zbuloi se deputët nuk do të qëndrojnë në vijën e parë të tubimit, por janë udhëzuar të shpërndahen pranë protestuesve të zonave të tyre.
“Deputetët kanë porosi të mos rrinë të parët, por të shkojnë pranë protestuesve të zonave të tyre. Kjo edhe mund të ndryshojë. Ishte taktikë dhe qëndrim i yni”, u shpreh ai.
Në një bashkëbisedim online me qytetarët, Berisha shtoi se gjatë ditëve të fundit është punuar intensivisht për mobilizimin e qytetarëve, ndërsa theksoi se organizimi i protestës duhet të jetë sa më i mirë dhe i strukturuar.
Po ashtu është zbuluar edhe mesazhi që PD ka dërguar për mbështetësit dhe qytetarët për pjesëmarrje. Në mesazhin e dërguar nënvizohet se qëllimi është qeveria teknike dhe zgjedhje të lira.
“Të dashur demokratë: Edi Rama është izoluar ndërkombëtarisht. Në përplasje me drejtësinë. Rezistenca jonë nuk ndalet deri në largimin e tij. Deri në qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Detyra jonë është ta rrëzojmë. E diel, ora 18.00, në Bulevard”, thuhet në mesazh.
Në vijim të aksionit opozitar, Partia Demokratike e Shqipërisë ka organizuar edhe më herët protesta dhe tubime duke paralajmëruar se mobilizimi do të vijojë deri në rrëzimin e qeverisë “Rama 4”. Protesta e 22 marsit pritet të jetë një tjetër moment i rëndësishëm i këtij aksioni, ku drejtuesit e partisë synojnë një pjesëmarrje të lartë të qytetarëve./ZËRI



