DURRËS- Partia Socialiste ka nisur këtë të shtunë procesin e riorganizimit të strukturave të saj, deri më 30 qershor. Kështu ka njoftuar Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Asamblesë. Më tej, Klosi njoftoi datat për çdo proces, që do të shërbejnë për ‘riformatimin’ e partisë.
“Më 12 qershor kemi festën e 35 vjetorit të partisë. Zgjedhja e strukturave vendore do të zhvillohet nga 21 marsi deri më 30 qershor dhe kjo periudhë do të jetë e ndarë në disa segmente. Nga sot deri më 16 prill do të jetë njohja dhe analiza e çdo organizate. Nga 16 prilli deri më 13 maj do të mbahen zgjedhjet në organizatat socialiste dhe nga 16 maji më 12 qershor do të mbahen zgjedhjet e kryetarëve të partisë në bashki. Deri më 30 qershor do të bëhet konstitumi i organeve tona”, tha Klosi.
Datat e socialistëve:
Deri më 16 prill do të kryhet analiza e organizatave të PS-së
Nga 16 prilli deri më 13 maj: zgjedhjet në strukturat e partisë
13 maj-12 qershor: zgjedhjet e kryetarëve në bashki
12 qershor-30 qershor: konstituimi i detyrave lokale
Klosi vendosi objektivin e zgjerimit të Partisë Socialiste me 4 anëtarë të rinj, minimalisht për çdo Organizatë Socialiste, 2 djem dhe 2 vajza.
“Shtimi i anëtarësisë me minimalisht katër anëtarë të rinj, dy shoqe dhe dy shokë në çdo organizatë socialiste, me fokus padyshim te të rinjtë. Çdo anëtar i Asamblesë ka për detyrë të ketë një takim me 5 të rinj në çdo qendër në zonat rurale dhe mbi 10 në qendrat urbane.”, tha Klosi.



