TIRANË-Ish-deputetja Monika Kryemadhi ka zbardhur akuzat e SPAK dhe marrëdhënien e saj me ish-bashkëshortin Ilir Meta, pasi GJKKO kaloi për gjykim dosjen në ngarkim të tyre. Kyemadhi e ftuar në ‘Top Story’ komentoi një ndër akuzat në dosje, ku bëhet fjalë ër një blerje 12 mijë euro, konkretisht një çantë e firmës ‘Hermes’ dhe një peliçe.
Lidhur me këtë akuza Kryemadhi shprehet se blerja është bërë për nusen e kushëririt, pasi ky i fundit e kishte bërë porosinë por nuk shkonte dot në San Marino dhe kjo e fundit ja kishte marrë. Ish-deputetja thekson se nuk e kishte blerë ajo.
Monika Kryemadhi: Unë kam blerë një çantë dhe një peliçe 12 mijë euro për gruan e kushëririt të cilat i kishte porositur. Një çantë Hermes për gruan e vet, dhe një peliçe që e kishte porositur nuk shkonte dot dhe ja kam marrë unë dhe ja kam sjellë. Dhe nuk i kam marrë në San Marino por i kanë sjellë në San Marino, nuk shkonte dot ishte në Shqipëri dhe ja kam marrë unë ja kam sjellë. Nuk e kam blerë unë.
Sa i përket raportit me ish-bashkëshortin Ilir Meta, Kryemadhi theksoi se ajo që nuk ia fal Ilir Metës është faktin që nuk kishte besim ndaj saj, ndërsa shtoi se ajo nuk ka qenë kurrë dyshuese për vendimet e tij. Ajo tregoi dhe detaje nga zbërthimi i bisedave në telefon pas sekuestrimit, ku emrin e ish-presidentit e kishte regjistruar në kontakte ‘zemra ime’. Lidhur me këtë ish-deputetja shprehet se prokurorët, kishin menduar se kishte dashnor dhe ja kishin thënë Metës.
Monika Kryemadhi: Unë kam të gjitha analizat financiare të të gjitha kompanive dhe bizneseve. SPAK-u më prishi familjen, ti thuash bashkëshortit që gruaja jote të ka shitur ty. Nuk kam më asnjë raport, qoftë politik apo emocional me Metën. Jam vetëm në raport me fëmijët. Unë, jo vetëm Metës, por kujtdo njeriu nuk i fal kurrë mungesën e besimit që kishin ndaj meje. Nuk do ta pranoja kurrë që besimin e Metës ndaj meje ta thyente një njeri kalimtar në jetën e tij. Nuk kam vendosur kurrë në dyshim asnjë vendim të tij. Unë Ilir Metën e kisha regjistruar me emrin ‘zemra ime’, kurse Metës i kishin thënë që Monika ka dashnor, ka të dashur. Kur e lexoi prokurori që numri i regjistrua si ‘zemra ime’ ishte Ilir Meta, ngelën të gjithë. Ilir Meta besoj më shumë rrethin e tij shoqëror sesa mua.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi më 19 mars që dosja ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe të pandehurve të tjerë, të kalojë për gjykim. Dosja përfshin tre hetime, çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror. Meta akuzohet për tre vepra penale, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. Po të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi ish-deputeten dhe ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi. Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje./ZËRI



