Debati për vizitën në Gjermani-PD: Peleshi na përjashtoi nga delegacioni! Kuvendi: Kishin agjendë tjetër


Debati për vizitën në Gjermani-PD: Peleshi na përjashtoi nga

FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar përmes një njoftimi për mediat, lidhur me mungesën e një përfaqësuesi të tyre gjatë vizitës zyrtare të delegacionit të Kuvendit shqiptar në Gjermani. Përfaqësues u emëruan  Tomorr Alizoti dhe Klevis Balliu. PD akuzon kreun e Kuvendit Niko Peleshin, se ai e ka përjashtuar grupin e Partisë Demokratike, ndonëse vetë i kishte ftuar fillimisht ata.

Reagimi i PD:  Në vijim të kërkesës së datës 4 Mars 2026 të vetë Kryetarit të Kuvendit për të caktuar dy deputetë të grupit tonë parlamentar në këtë Delegacion, nga ana e kryetarit të grupit parlamentar u caktuan z. Tomorr Alizoti – Nënkryetar i grupit parlamentar dhe njëherazi Nënkryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri – Gjermani; si dhe z. Klevis Balliu – Nënkryetar i Komisionit të Sigurisë dhe njëherazi anëtar i Grupit të Miqësisë Shqipëri – Gjermani.

Niko Peleshi, në një akt të paprecedentë për një Kryetar Kuvendi, por të përsëritur prej tij, ka vendosur më pas pa asnjë arsye të përjashtojë grupin më të madh të opozitës në Kuvend nga delegacioni zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë në Bundestag. Emrat e përfaqësuesve të Partisë Demokratike u hoqën qëllimisht për ta përjashtuar PD nga përfaqësimi institucional. Fatkeqësisht, ky vendim tregon sa vite dritë larg standardeve demokratike të Bundestagut gjerman është sot drejtimi i maxhorancës parlamentare.

Trajtimi i opozitës si armik nuk e zhbën problemin kryesor të kësaj maxhorance: lidhjet me krimin e organizuar dhe mbrojtjen e korrupsionit përmes votës në Parlament. Dhe ndërkohë që flasin për anëtarësim në Europë, negociatat më të frytshme i bëjnë me skifterët e orëve të vjedhura nëpër Europë apo duke bashkëpunuar me organizatat më të rrezikshme kriminale në vend!

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Kuvendi. Përmes një sqarimi Kuvendi shprehet se në delegacionin e Kryetarit të Kuvendit në Gjermani marrin pjesë edhe dy deputetë nga opozita, ashtu siç ka ndodhur në çdo delegacion zyrtar. Por thuhet se Kryetari i Kuvendit ka miratuar, sipas kërkesës së tyre një agjendë e cila parashikon zhvillimin e takimeve në të njëjtën ditë në Bundestag.

Kuvendi; Në delegacionin e Kryetarit të Kuvendit në Gjermani marrin pjesë edhe dy deputetë nga opozita, ashtu siç ka ndodhur në çdo delegacion zyrtar. Sa i përket përfaqësuesve të Partisë Demokratike, Kryetari i Kuvendit ka miratuar, sipas kërkesës së tyre një agjendë e cila parashikon zhvillimin e takimeve në të njëjtën ditë në Bundestag, përfshirë angazhime me komisionet parlamentare përkatëse.

Poll



Source link

Scroll to Top