Është ndeshja më e madhe e Bundesligas, “Klasikja Gjermane”: Udheheqësit e tabelës, Bajern, presin rivalët e tyre më të afërt, Dortmundin. Si po përgatitet ekipi i Kompani për BVB-në? A mund të distancohet FC Bayern nga rivalët e saj të Bundesligës që herët, apo BVB do të qëndrojë në krye?
Kjo pyetje do të marrë përgjigje kur dy ekipet takohen në Mynih për ndeshjen kryesore të Bundesliga-s të shtunën në mbrëmje në orën 18:30. FCB aktualisht ka katër pikë më shumë se rivalët e saj nga Dortmund. Bajerni i Mynihut ka shumë respekt për kundërshtarët e tyre. Megjithatë, të dy ekipet janë të vetmet në ligë që mbeten të pacënuara.
“Deri tani, BVB ka treguar shumë stabilitet. Ata kanë lojtarë sulmues shumë të rrezikshëm që gjithmonë mund të shënojnë. Ata kanë mbrojtës me shumë përvojë. Në përgjithësi, janë një kundërshtar i fortë. Por ne jemi në shtëpi! Shpresoj që të jetë një ndeshje e mirë për tifozët,” tha Kompani, duke pritur me padurim këtë përballje në krye të renditjes.
Përveç aspektit sportiv, disa pyetje u fokusuan edhe te vendimet për personelin. Sidomos, thashethemet rreth interesit të mundshëm të Bajernit për liderin mbrojtës të BVBsë, Niko Shloterbek. Por as Kompani e as Eberl nuk deshën të zbulonin kartat e tyre.
“Unë shoh Shloterbek vetëm si kundërshtar nesër. Prandaj njoh profilin e tij shumë mirë. Ka një lidhje të mirë me Guirasi,” sqaroi trajneri i Bajern. Eberl gjithashtu iu përgjigj në mënyrë të përgjithshme: “Unë besoj se kemi mbrojtës qendrorë shumë të mirë. Çështja e madhe për ne është rinovimi me Upamekano.” Bajern aktualisht është në bisedime me të për një kontratë të re, ashtu si edhe me Serxh Gnabri, i cili ka rikuperuar së fundmi. Por edhe këtu, Eberl bllokoi çdo pyetje: “Kontrata e tij po skadon, dhe sinjalet që i japim njëri-tjetrit i themi mes nesh, jo juve.”
Nga ana tjetër Kompani foli edhe për lojtarin e tyre të momentit Herri Kejn: “Mund të ketë ndihmuar fakti që ai nuk ka fituar shumë tituj, sepse e ka mbajtur të uritur. Ai është zhvilluar dhe duhet të dëshirojë. Nuk mund ta zhvilloj një lojtar të këtij cilësie vetëm unë. Shpresojmë që gjithçka të vazhdojë mirë. Nuk do t’i japim presion shtesë Kejnit nëse ka një lojë të dobët. Kemi mjaft lojtarë që mund ta zëvendësojnë atë.








