TIRANË- Kryeministri Rama komentoi në podcastin “Flasim” edhe dështimin e tenderit për portin e Porto Romanos. Rama theksoi edhe një herë se ka pasur asnjë shqetësim apo presion as nga aleatët, SHBA dhe BE. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, një port i këtyre përmasave e çon Shqipërinë në një nivel tjetër në hartën logjistike të rajonit.
“Një port i ri i këtyre përmasave, me këtë ambicie, e çon Shqipërinë në një nivel tjetër në hartën logjistike të rajonit dhe e kthen në një vend që zotëron edhe një nyje strategjike të transportit në mes të Europës, si pikë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit.”, tha ndër të tjera Rama.
Megjithatë, sipas Ramës, jo të gjithë e mirëpresin këtë port. Ashru sikurse theksoi pak ditë më parë, Rama tha se bëhet fjalë për faktorë që lidhen me trafiqet dhe faktorë të tjerë politikë që nuk e duan këtë port, por theksoi se qeveria ka planin e shpejtë për të filluar ndërtimin.
“Kam një shënim të veçantë për sa i përket një çështje që ka marrë vëmendje mediatike dhe që, si të gjitha çështjet e tjera të kësaj bote, kur marrin vëmendje mediatike në kohën që jetojmë mbulohen nga një mjegull e madhe marrëzish, fantazish, budallallëqesh, ligësish dhe me një fjalë të vetme, dezinformimi. E kam fjalën për çështjen e portit të ri tregtar dhe ushtarak të Porto Romanos.
Tani, ne jemi, jo në të drejtën, por në detyrën tonë të riorganizojmë rrjetin portual të vendit, të ndryshojmë funksionin urban të zonës Durrësit; të shpëtojmë qytetin e dytë më të madh të vendit dhe qytetin e parë turistik të Shqipërisë në vijën bregdetare nga gangrena mu në mes të organizmit të vet urban, që është porti i vjetër; të rrisim kapacitetet tona përpunuese logjistike dhe gjeopolitike, duke u përputhur me standardet e Bashkimit Europian dhe të NATO-s përmes ndërtimit të një nyje të re strategjike për, jo thjesht Shqipërinë, po për rajonin dhe për funksionimin e Korridorit 8 dhe në ndërkohë, të gjitha këto sfumohen nga lumi i marrëzive që shqiptarët janë të detyruar të përballin përditë, në çdo orë, në çdo minutë, sa herë që kanë kontakt me 700 tenxheret politike dhe mediatike.
Ideja e transferimit të portit tregtar në Porto Romano dhe e transformimit të portit aktual të Durrësit për funksionin e ri të një motorri të fuqishëm të industrisë së re të turizmit është absolutisht zgjidhja më logjike e pamundur në kohëra të mëparshme për shkak të Shqipërisë që ishte dhe plotësisht e domosdoshme për Shqipërinë tjetër që ne po ndërtojmë dita-ditës.
Porti i ri në Porto Romano nuk është thjesht një projekt infrastrukturor. E përsëris, është një projekt strategjik rajonal dhe europian i lidhur me funksionimin vital të Korridorit 8 dhe me nyje të tjera logjistike, ku përfshihen edhe portet e thata të Prishtinës dhe të Shkupit.
Siç e theksova në ditët e shkuara, në këtë proces nuk ka patur sikundër hidhen përpjetë ciklat e avujve të tenxhereve mediatike, asnjë shqetësim të shprehur nga aleatët tanë, as nga Shtetet e Bashkuara, as nga Bashkimi Evropian, përkundrazi projekti i hartuar nga kompania më e madhe në botë, me reputacion të padiskutueshëm, Royal Haskoning është në tryezën e NATO-s. Ka kaluar të gjithë filtrat teknik dhe tani pret të hyjë bashkë me grupin e disa projekteve të tjera të mëdha, në filtrin politik pikërisht sepse është një projekt me një vlerë të konsiderueshme gjeopolitike, por natyrisht, e kam thënë dhe e përsëris këtë port të ri jo të gjithë e duan, jo të gjithë e mirëpresin. Faktorë brenda dhe jashtë, duke filluar nga faktorët e nëndheshëm të atyre që lidhen me trafiqet deri tek faktorë politikë dhe faktorë të tretë jashtë kufijve të Shqipërisë, s’kanë se si ta mirëpresin pasi në rastin më të mire, kjo është një fuqi e re që hyn në konkurrencën tregtare, detare të Mesdheut dhe në rastin më të ndjeshëm, ky është një faktor që merr pjesë nga, le të themi sofra, ku shpërndahet përfitimi i gjithë aktivitetit detar, tregtar në këtë pjesë të botës ku ne jetojmë.
Një port i ri i këtyre përmasave, me këtë ambicie, e çon Shqipërinë në një nivel tjetër në hartën logjistike të rajonit dhe e kthen në një vend që zotëron edhe një nyje strategjike të transportit në mes të Europës, si pikë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit.
Më e qartë se kaq unë nuk e di si mund të jetë. Dhe në fund dua të them që, pavarësisht vështirësive që ka hasur projekti, pavarësisht të dy proceseve të papërfunduara në sekondën e fundit, pavarësisht tërheqjes së kompanisë që ishte shumë pranë lidhjes së kontratës dhe pritej vetëm të paraqiste ofertën financiare, por që u shpreh se në kushtet e krizës dhe të rritjes së çmimeve nuk e shikonte të mundur të jepte një ofertë financiare, ne jemi gati të kalojmë në një plan tjetër të shpejtë dhe agresiv për të garantuar fillimin e ndërtimit të portit për të cilin kemi vënë dispozicion edhe të gjithë buxhetin e nevojshëm”, tha Rama.



