TIRANË-Pas Ditës së Pavarësisë, Shqipëria feston sot Ditën e Çlirimit nga forcat fashiste italiane e gjermane. Udhëheqësit më të lartë të shtetit po zhvillojnë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, duke nderuar sakrificën e atyre që luftuan për lirinë e vendit. Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Niko Peleshi vendosën kurora me lule në Memorialin “Nëna Shqipëri” për të nderuar sakrificën dhe heroizimin e atyre që luftuan për liri.
Shqipëria u çlirua nga forcat naziste më 29 nëntor 1944, pas një periudhe 5-vjeçare pushtimi. Kjo datë festohet e ndarë nga politika, pasi 29 Nëntori është festë vetëm për të majtën, ndërsa e djathta feston 28 Nëntorin si ditën e Pavarësisë dhe të Çlirimit.
E djatha gjatë mandatit të saj të parë qeverisës, ndryshoi datën e Çlirimit, nga 29 Nëntori më 28 Nëntor, pasi sipas saj, kjo e fundit ishte zgjedhur nga regjimi komunist duke falsifikuar historinë. Por 29 Nëntori e fitoi sërish statusin e Ditës së Çlirimit kur e majta erdhi në pushtet, në verën e vitit 1997, kur me një ligj të posaçëm u kthye në festë zyrtare.
Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore ishte një nga vendet e pushtuara nga blloku nazifashist. Në fund të nëntorit 1944, pas çlirimit të Tiranës dhe shumë qyteteve të tjera, më 29 nëntor u arrit që të çlirohej edhe Shkodra që njihet në histori si qyteti i fundit që ka fituar betejën me armikun./ZËRI



