TIRANË-Në konferencën e Kryetareve po prezantohet projektligji ‘për buxhetin e vitit 2026’ nga ministri i Financave, Petrit Malaj. Buxheti për vitin 2026 është programuar në vlerën 8.8 miliardë lekë, rreth 1 miliard euro më shumë se në 2025. Ministri i Financave, Petrit Malaj ka prezantuar dhe Paketën Fiskale të hartuar për vitin 2026. Malaj ka bërë me dije se nuk do të ketë rritje të taksave, ndërsa ndryshime parashikohen në sektorin e bujqësisë si dhe për bizneset.
Malaj: Ministria e Financave, paralelisht me Buxhetin 2026, ka hartuar edhe Paketën Fiskale 2026, përmes së cilës parashikojmë disa ndryshime ligjore. Dhe, JO nuk do të kemi rritje taksash dhe JO nuk do të kemi taksa të reja. Përmes ndryshimeve, ne nuk synojmë vetëm rritjen e të ardhurave për arkën e shtetit, por edhe t’i vijmë në ndihmë Biznesit, Fermerit dhe natyrisht edhe Qytetarit. Mund të përmend këtu disa nga politikat më të rëndësishme: Skemën e fermerëve, përmes kompensimit të TVSH-së në normën 10%, duke iu lënë në duar fermerëve rreth 1.5 miliardë lekë në vit; Rivlerësimin e pasurive të paluajtshme; Norma e rivlerësimit është 5 % dhe do zbatohet përgjatë gjithë vitit 2026. Zbatimin e Paqes Fiskale, si një reformë që synon të ndërtojë një marrëdhënie të re besimi mes biznesit dhe shtetit.
Paketa fiskale 2026, e cila përfshin paqen fiskale, rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, ndryshimet në TVSH për bujqësinë, si dhe rritjen e pagës minimale dhe maksimale. Paqja fiskale do të nisë në janar, ku 213 mijë tatimpagues debitorë, do të mund të përfitojnë ulje të gjobave e kamatave, kurse çdo borxh i krijuar para 2016-ës falet plotësisht.
Por opozita ka patur kritika për paketën fiskale, për të cilën thotë se nuk është dorëzuar ende në Kuvend dhe shprehet se nuk ka ven për miratimin e këtij projekt buxheti. Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku u shpreh se nuk ka buxhet pa paketë fiskale. Edhe kreu i grupit të PD-së, Gamzent Bardhi ka propozuar që shqyrtimi për projektligjin e buxhetit të shtetit të shtyhet për javën pasardhëse me qëllim që së bashku me këtë projektligj të jetë dhe paketa fiskale. Nga ana tjetër kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, u përgjigj duke thënë se sot është mbledhja për kalendarin.
Debati:
Bardhi: Kalendari i posaçëm që ne miratojmë sot, nuk do të përfshirë vetëm shqyrtimin e projektligjin e buxhetit, se rregullorja na flasin për një kalendar të veçantë, që përfshihet dhe paketa fiskale. Nuk kemi qenë ne drejtimin e Kuvendit, që ky Kuvend qëkur drejtohej nga Gramoz Ruci ,ka ndodhur dy herë në 12 vite që Konferenca e Kryetarëve nuk ka pranuar prezantimin e projektligjin e buxhetit pa ardhur paketa fiskale. Ju ftoj të respektoni kushtetutën, Nëse ministria kërkon 1 javë kohë për të përmbyllur paketën fiskale, mund të ngushtohet kalendari që të arrijmë afatet e miratimit brena këtij viti, por duhet që projektligji i buxhetit të vijë bashkë me projektligjet financiare. Ministri sapo konfirmoi që është duke bërë një paketë. Meqë thotë që vjen javën tjetër, ta miratojmë javën tjetër.
Tabaku; Kjo është një procedurë shumë e veçantë. Është ligji më i rëndësishëm. Programin e qeverisë nuk ka na latë ta diskutonim. Nuk ka buxhet pa paketë fiskale, nuk ka nevojë të jesh ekonomiste për këtë. Buxheti ka disa ndikime të ligjeve financiare.
Balla: Ajo që ka qenë për shumë vite i vetmi debat në mbledhjen e parë të konferencës së kryetarëve ka qenë për kohën e kalendarit të shqyrtimit të buxhetit. Opozita s’ka më këtë shqetësim dhe ndërkohë ngatërrojnë rrugët se nuk e dinë që ligjet janë më vete. Votohen më vete. Ajo që ka dashur dhe ka thënë ligjvënësi është që ato hyjnë menjëherë në programet e Kuvendit dhe tradita ka bërë që të kemi një kalendar të posaçëm. Kaq! Sot jemi mbledhur vetëm për kalendarin. Mos harroni që kemi një ligj tjetër, kemi ligjin për shqyrtimin buxhetor.
Malaj: Paketa fiskale është në konsultim me grupet e interesit dhe kryesisht me faktorin ndërkombëtar, po bëjmë përafrim të legjislacionit tatim dhe doganor me direktivat e BE, jemi të detyruar ta konsultojmë edhe me ata. Do vijë në Kuvend gjatë javës së ardhshme. Nuk presim ndryshime në paletën fiskale, por për procedurë duhet tua përcjellim që të marrim dritë jeshile.
Ministri i Financave theksoi se nga janari paga minimale do të shkojë në 500 euro nga 400 euro që është aktualisht. Për herë të parë, pagat e administratës do të indeksohen me 2.5%. Kostoja për rritjen e pagave dhe indeksimin do jetë 10 mld lekë.
Sa i përket rivlerësimit të pronave dhe pasurive të paluajtshme, Malaj u shpreh se përgjatë vitit 2026 tatimi do të jetë 5%, nga 15% që paguhet aktualisht nëse shet pronën.
Buxheti 2026
Projektbuxheti i vitit 2026 u publikua një ditë më parë. Nga shifra prej 8.8 miliardë lekësh, 100 milionë euro do të shkojnë për rritjen e pensioneve sipas skemës së re, ndërsa 135 milionë euro do të shkojnë për rimbursimin e medikamenteve. Fondi për rindërtimin do jetë në 50 milionë euro. Kostoja totale e rritjes së pagës minimale së bashku me indeksimin parashikohet rreth 10 miliardë lekë.
Sa i përket institucioneve të drejtësisë, rritjen më të madhe e ka Këshilli i Lartë Gjyqësor me gati 12 milionë euro më shumë, duke marrë për vitin 2026 gjithsej 68 milionë euro. Edhe SPAK merr një buxhet më të madh për vitin 2026. Prokuroria e Posaçme do të ketë në dispozicion 21 milionë euro nga 18.8 milionë që kishte vitin e kaluar./ZËRI




