TIRANË- Ministri Pushtetit Vendor, Ervin Demo, deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se 4 bashki të reja kanë miratuar zonat prioritare lidhur me Paketën e Maleve. Siç deklaroi ministri, bëhet fjalë për Bashkinë Sarandë, Kuçove, Gramsh dhe Tropojë. Sipas ministrit Demo, në territor ka kaluar numri i 500 aplikimeve, si pasojë e interesit të bashkive që shpallin zonat prioritare.
“Vendimet e ditës së sotme: kemi pasur katër bashki të reja që sot kanë miratuar zonat prioritare, duke nisur me Bashkinë Sarandë, Kuçovë, Gramsh dhe Tropojë. Ne vazhdojmë të ecim çdo javë me bashkitë që miratojnë zonat e tyre prioritare. Tashmë mund të themi se numri i aplikimeve në territor, edhe për vetë faktin që numri i bashkive po rritet javë pas jave, është edhe më i madh. Janë kaluar 500 aplikime. Edhe në javët në vijim kemi një sërë bashkish që janë në procese përfundimtare të miratimit të zonave prioritare“, tha Demo.
Demo u pyet edhe për procesin e reformës territoriale dhe variantet që po diskutohen. Ministri theksoi se deri më tani nuk ka një variant konkret, por se po analizohen modele të ndryshme bazuar në specifikat e vendit. Ai deklaroi se janë diskutuar disa modele, por, megjithatë, aktualisht nuk ka ende një qëndrim zyrtar se cili variant do të propozohet nga Partia Socialiste.
“Në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar janë diskutuar modele të ndryshme. Nuk ka një qëndrim ende nga PS. Ne besojmë dhe unë do t’i referohemi asaj që kam thënë vazhdimisht: duhet të ecim përpara me procesin. Të gjithë jemi duke menduar modele të ndryshme, të cilat nuk i kemi shpikur ne. Nuk ka qëndrim, kjo është shumë e saktë. Janë diskutuar në parim disa kolona kryesore, ku kjo reformë duhet të mbështetet dhe kjo e bën procesin më të shëndetshëm dhe produkti përfundimtar do jetë më i mirë”, tha ministri.
Në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar të PS-së, zhvilluar të shtunën, 28 mars, u prezantuan katër variantet mbi “Territorialen”, që përfshijnë konsolidimin funksional, atë të dencentralizimit, forcimin e qarkut dhe rajonet strategjike.
Partia Demokratike nuk ka rënë dakort me skenarët e Partisë Socialiste, duke kërkuar rikthimin e Komunave, të krijohen rajone dhe Bashki të reja sipas numrit të popullsisë./ZËRI




