3 muajt e pritjes për Ballukun dhe rruga pas vendimit të Kushtetueses!


3 muajt e pritjes për Ballukun dhe rruga pas vendimit të Kushtetueses!

Belinda Balluku

TIRANË- Më 31 tetor 2025, zëvendëskryministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Numri 2 i qeverisë do të vendosej nën akuzë! Ky zhvillim vendosi përballë Gjykatën Kushtetuese, SPAK, GJKKO, qeverinë dhe Kuvendin. Zhvillime nga hetimi, akuza, prova të reja, dy masa sigurie për zv.kryeministren Belinda Balluku dhe një kërkesë Kuvendit nga SPAK për heqjen e imunitetit-do të trazonin politikën shqiptare nga fundi i tetorit 2025 deri në një vendim të Kushtetuses më 6 shkurt 2026. Belinda Balluku mbetet e pezulluar nga detyra! Por çfarë ndodhi në harkun kohor 3 mujor (31 tetor-6 shkurt)?

Zv.kryeministrja Belinda Balluku u paraqit më 31 tetor në SPAK, ku iu komunikua akuza për shkeljen e barazisë në tenderat publikë. Në 20 nëntor 2025, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi dy masa të reja në drejtim të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, atë të pezullimit nga detyra, si dhe ndalimin për të dalë jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tendera me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. 

Një ditë më vonë në 21 nëntor, kryeministri Edi Rama dërgon pezullimin e Ballukut në Gjykatën Kushtetuese. Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, Kryeministra kërkoi:

1-Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.

2. Shfuqizimin e vendimit nr.118, datë 19.11.2025, të GjKKO-së, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave

3. Pezullimin e efekteve të vendimit të mësipërm të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese.

4. Interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që ‘Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedural.

Pikat e renditura nga Rama morën përgjigje një nga një!

Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese riktheu në detyrë zv.kryeministren, njëherësh ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Me shumicë votash, 5 me 3, u vendos pezullimi i vendimit të GJKKO-së i datës 20 nëntor. Po në të njëjtën mbledhje, dhe me të njëjtën shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi edhe pranimin e ankimimit të Qeverisë të bërë ndaj kësaj çështjeje, lidhur me mosmarrëveshjen e kompetencës krijuar mes institucioneve dhe rishikimin e imunitetit të deputetit.

Rruga drejt arrestimit…

Katër ditë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, lëvizja e radhës vjen nga Prokuroria e Posaçme. SPAK i kërkoi Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit të Balllukut, duke i hapur rrugë arrestimit të saj.

19 dhjetor 2025 mblidhet Këshilli për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet! 10 deputetë, 5 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita rreshtohen përballë prokurorëve të SPAK. Por mbledhja pasoi vetëm me parashtrim provash ‘top sekret’. Pritja për fjalën e Kushtetueses ‘ngeci’ edhe Këshillin e Mandateve!

Kuvendi me shumicë votash voton ose jo heqjen e autorizimit. Nëse Kuvendi nuk shprehet brenda 3 muajve, kërkesa e Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion konsiderohet e rrëzuar.

2026 sjell përballjen SPAK-Kryeministri në Kushtetuese! Më 22 janar në Kushtetuese mbahet seanca me dyer të hapura ku përfaqësuesit e kryeministrisë dhanë argumentet për kërkesën e kreut të qeverisë Edi Rama, se pse pezullimi i Belinda Ballukut nuk mund të bëhet nga një gjykatë. Sipas tyre arrestimi dhe pezullimi i Ballukut, duhet të vendoset nga Kuvendi.

Vendimi final u dha më 6 shkurt! Gjykata Kushtetuese vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit për pezullimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Balluku nuk është më ministre!

Gjykata Kushtetuese nuk konsideroi faktin që një ministër ka imunitet njësoj si deputeti dhe nuk mund të pezullohet. Në unanim 8 gjyqtarët u shprehën se ministri nuk hyn në kategorinë e personave të zgjedhur, siç janë deputetët dhe imuniteti i ministrit nuk përfshin pezullimin. Pra, ministrat kanë imunitet si deputetët, por nuk i mbron nga pezullimi nga detyra nëse janë nën hetim. 

“Gjykata vlerësoi njëzëri se imuniteti i ministrit rregullohet nga neni 103, pika 3 i Kushtetutës në lidhje me nenet 73, pikat 1 dhe 2. Në regjimin kushtetues të imunitetit të ministrit, ashtu sikurse të deputetit, nuk përfshihet garancia e parashikuar në nenin 242, paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit masa e pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral. Gjykata thekson se sipas Kushtetutës sistemi qeverisës bazohet në parimin e shtetit të së drejtës sipas të cilit edhe ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës nëse e shkelin atë,“-thuhet në vendimin e Gjykatës.

3 muajt e pritjes për Ballukun dhe rruga pas vendimit të Kushtetueses!

3 muajt e pritjes për Ballukun dhe rruga pas vendimit të Kushtetueses!

Ndarja e trupës së gjyqtarëve ishte 4 me 4 nëse duhet të merret ose jo autorizim nga Kuvendi para se të pezullohet me vendim gjykate një anëtare qeverie. Sipas njërit qëndrim, marrja e autorizimit nga Kuvendi për zbatimin e masave që kufizojnë paraprakisht lirinë e deputetit synon të mbrojë veprimtarinë e vetë Kuvendit. Sipas qëndrimit tjetër, Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit për masat procedurale penale. 

Kundër ankimimit të Ramës votuan: Asim Vokshi, Marsida Xhaferllari, Ilir Toska, Sander Beci

Ndërsa pro ankimimit të Ramës votuan: Fjona Papajorgji, Marjana Semini, Gent Ibrahimi, Sonila Bejtja

Çfarë vjen më pas?

-Por në fakt në barazimi 4-4 në Gjykatën Kushtetuese, krijon një tjetër ‘ngërç’. Kushtetuesja nuk e ka pasur të plotë trupën prej 9 anëtarësh, pasi në 2024 ish-anëtarja Elsa Toska dha dorëheqjen. Vendi i saj mbetet bosh. A do ta përsërisë qeveria kërkesën kur të plotësohet Gjykata Kushtetuese me 9 vetë?

Një lëvizje tjetër mund të jetë ndërhyrja në nenin 242, paragrafi 2, të Kodit të Procedurës Penale, i cili u garanton imunitetin të zgjedhurve, ku të specifikohet edhe për ministrin.

‘Topi’ tani i kalon Apelit për të vlerësuar nëse do ta mbajë në fuqi pezullimin nga detyra të numrit dy të qeverisë që ka vendosur shkalla e parë. Nëse ndodh që Apeli ta lejë në fuqi, Balluku mund të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë. Deri tani Balluku ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë ku kundërshton ndalimin e udhëtimeve jashtë vendit, pasi me vendim GJKKO pasaporta e saj është e bllokuar./ZËRI

Poll



Source link

Scroll to Top